Kuvendi i Shqipërisë nis sot diskutimet për buxhetin e shtetit për vitin 2025, një paketë financiare prej rreth 8 miliardë eurosh, që është më e madhja ndonjëherë. Diskutimet do të zgjasin dy ditë dhe votimi final pritet të zhvillohet të martën vonë.
Nuk parashikohet rritje pagash apo shtim i pensioneve gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërkaq prioritetet e investimeve janë projektet infrastrukturore si rrugët Tiranë-Durrës, Elbasan-Qafë Thanë dhe Ndroq-Plepa.
Opozita ka paralajmëruar një protestë të martën, në kohën kur pritet votimi. Lideri i saj, Sali Berisha, e ka cilësuar këtë buxhet si “buxheti i vjedhjeve” dhe ka bërë thirrje për kundërshtimin e tij. Pavarësisht kritikave, opozita ka marrë pjesë në diskutimet parlamentare, duke shmangur bojkotin e viteve të mëparshme.
Seanca maratonë pritet të përfundojë me votimin e projektbuxhetit të martën në mbrëmje.