Donald Trump ka dhënë miratimin e tij në rrjetet sociale këtë mëngjes lidhur me idenë se ai synon të përdorë ushtrinë për të zbatuar planet e tij të deklaruara më parë për dëbimin masiv të emigrantëve pa dokumente nga SHBA sapo të marrë detyrën.
Presidenti i zgjedhur Republikan ka folur gjatë fushatës elektorale për shpalljen e një emergjence kombëtare, një hap që do të mund të aktivizonte kompetenca të jashtëzakonshme për të angazhuar ushtrinë amerikane në një lëvizje tejet të diskutueshme për të dëbuar miliona njerëz që ai i konsideron si të pranishëm në mënyrë të paligjshme në SHBA.
Në një postim të hershëm në platformën e tij, Truth Social, Trump iu përgjigj thjesht “E VËRTETË” një deklarate të bërë nga aktivisti konservator Tom Fitton, përcjell The Guardian.
Fitton, president i grupit konservator me ndikim Judicial Watch, kishte postuar:
“LAJME TË MIRA: Ka raporte se administrata e ardhshme @RealDonaldTrump është e përgatitur të shpallë një emergjencë kombëtare dhe të përdorë forcat ushtarake për të përmbysur pushtimin e Biden-it me një program dëbimesh masive.”
Trump e rishpërndau këtë postim duke shtuar komentin e tij “e vërtetë,” duke sugjeruar një konfirmim të drejtpërdrejtë të kësaj lëvizjeje.