Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nga Kuvendi pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën nga një përleshje me thika mes nxënësve.
Duke shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, Zhupa akuzoi qeverinë për mungesë të masave reale për sigurinë në shkolla, duke e cilësuar projektbuxhetin për këtë çështje si të pavlerë dhe jashtë realitetit.
Ajo kritikoi ashpër ministrin e Brendshëm dhe ministren e Arsimit, duke i akuzuar për dështim në zbatimin e masave të premtuara për sigurinë në shkolla. “Ministrat shkuan shkollë më shkollë për të promovuar ‘paketën e sigurisë’, por duket se kjo paketë është vetëm propagandë. Nuk ka oficerë sigurie që të mbrojnë fëmijët tanë, ndërsa policia angazhohet vetëm për të përballuar deputetët,” shtoi Zhupa.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet konfirmuan se viktima, një adoleshent me inicialet M.C., u godit me thikë në zemër dhe ndërroi jetë në spital. Një tjetër 14-vjeçar është plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa një nga autorët e dyshuar është shoqëruar nga policia.
“Një 14-vjeçar sapo ka humbur jetën, pasi është vrarë më thikë në derën e shkollës “Fan Noli”. Dua t’i shpreh ngushëllimet familjes, por dua të kuptoni se sa false dhe jashtë realiteti është projektbuxheti që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla.
Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangi sherrin me thika në oborrin e shkollës. Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla.
Ministrit Balla dhe ministrja shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë, por nuk e di ku e kanë arkivuar paketën bashkë me këtë ministrin e ri, Hoxha, që di të sjelli vetëm policinë për t’u përballur me deputetët dhe nuk e ka policinë për të mbajtur fëmijët tanë.”