Seanca e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së kreut të PD, Sali Berisha, në lidhje me masën e sigurisë është shtyrë për ditën e enjte, raporton BalkanWeb.
Berisha kërkon lirinë, duke argumentuar se vendimi i marrë ndaj tij është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ka shmangur Kuvendin, ku ai është deputet. Ai ka kërkuar shfuqizimin e disa vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që lidhen me çështjen “Partizani”.
Kreu i PD-së ka qenë prej 11 muajsh nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, dhe kërkesat e tij për lirim janë rrëzuar nga shkallët e gjyqësorit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë kërkesë mund të vendosë precedentë në lidhje me kërkesat për autorizim të masave të sigurisë për deputetët.