Vendosni fjalën kyçe....

I përzgjedhuri i Trump për Prokuror të Përgjithshëm akuzohet se pagoi dy gra për seks


Një grua dëshmoi në Komitetin e Etikës së Kongresit  se ish-kongresmeni Matt Gaetz e pagoi atë për të bërë seks dhe se ishte dëshmitare sesi i përzgjedhuri i Donald Trump për Prokuror të Përgjithshëm bëri seks me një 17-vjeçare gjatë një feste.

Avokati nga Florida, Joel Leppard, tha në një intervistë me The Washington Post se një nga klientët e tij ishte dëshmitar se Gaetz kishte bërë seks me të miturën në një festë ku ishte përdorur drogë në korrik të vitit 2017 dhe se Gaetz nuk ishte në dijeni të moshës së saj në atë kohë, por më pas iu tha se ajo ishte i mitur. Lajmin e raportoi fillimisht ABC News.

Kjo grua dhe një grua e dytë, e përfaqësuar gjithashtu nga Leppard, dëshmuan se ishin paguar nga Gaetz për të kryer marrëdhënie seksuale me të dhe individë të tjerë që merrnin pjesë në këto “ahengje seksi”. Ata u paguan përmes Venmo ose kanaleve të tjera – duke përfshirë PayPal.

Gaetz nuk i ka bërë kurrë presion klientëve të Leppard për të përdorur drogë në këto ahengje, dëshmoi një nga klientët e tij, por ajo tha se përdorimi i drogës, si ekstazia, ishte i përhapur. Kur ato u pyetën nga hetuesit e Kongresit nëse Gaetz tregonte shenja se ishte nën efektin e drogës, gratë u përgjigjën pozitivisht, sipas rrëfimit të avokatit.

Gaetz nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por më parë i ka mohuar akuzat. Alex Pfeiffer, një zëdhënës i fuhshatës së Trump, tha në një deklaratë se presidenti i zgjedhur  ende i qëndron zgjedhjes së tij për emrin e Matt Gaetz.

“Matt Gaetz do jetë Prokurori i Përgjithshëm i ardhshëm”, tha ai, duke vënë në dukje se Departamenti i Drejtësisë i Presidentit Joe Biden përfundoi hetimin ndaj Gaetz pa akuza.

“Ai është njeriu i duhur për këtë punë dhe do t’i japë fund përdorimit të sistemit tonë të drejtësisë si armë ndaj kundërshtarëve,” vijoi Pfeiffer.