Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka nga salla e seancës plenare ku po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2025, u është drejtuar pensionistëve dhe fermerëve që i janë bashkuar protestës jashtë Kuvendit.
Noka tha se ky moment nuk është buxheti i tyre, por festë për Ramën dhe ministrat e qeverisë së tij.
“Pensionistë dhe fermerë që jeni jashtë, ky moment nuk është buxheti juaj, por një festë private e Ramës dhe grupit këtu mbrapa. Buxhetin nuk e lidh asgjë me njerëzit e thjeshtë dhe hallet e tyre. Ky buxheti është kurdisur në zyrat e errëta, në një kuzhinë ku gatuhen vetëm interesa okulte dhe aspak qytetare.
Ky buxheti është tregues i një tipari tipi i kësaj bande të pushtetit; gjithçka për vete dhe asgjë për njerëzit e thjeshtë. Motoja është të vjedhim gjithçka dhe më pas të blejmë pushtetin me para”, tha Noka.