Vendosni fjalën kyçe....

Putin nënshkruan doktrinë të re nukleare


Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për miratimin e doktrinës së përditësuar bërthamore të Moskës, raporton Anadolu.

Sipas dokumentit, të publikuar në faqen qeveritare, agresioni kundër Rusisë dhe aleatëve të saj nga një vend jo-bërthamor me mbështetjen e një shteti bërthamor do të konsiderohet si një sulm i përbashkët.

Gjithashtu, Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse ka një kërcënim kritik ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, si dhe ndaj shtetit të saj aleat, Bjellorusisë.

Doktrina e rishikuar përfshin gjithashtu një listë të kundërshtarëve kundër të cilëve po zbatohet parandalimi bërthamor dhe kushtet për përdorimin e saj, përfshirë lëshimin e raketave balistike që synojnë territorin rus.

Doktrina e përditësuar sugjeron që nëse një shtet lejon territorin dhe burimet e tij për agresion kundër Rusisë, kjo është baza për parandalimin bërthamor të një shteti të tillë.

Putin paralajmëroi ndryshimet në fjalimin e tij në konferencën e përhershme dyvjeçare mbi parandalimin bërthamor më 25 shtator, ku theksoi urgjencën e rishikimit të dokumentit, i cili, përpara rishikimeve aktuale, përkufizonte përdorimin e forcave bërthamore si një “mjet të fundit” për të mbrojtur sovranitetin e vendit.