Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Uroj që ky të jetë buxheti i fundit nën qeverisjen socialiste


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër buxhetin e propozuar për vitin 2025 gjatë diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Ajo u shpreh se ky buxhet nuk pasqyron nevojat reale të qytetarëve dhe është një dëshmi e dështimit të qeverisë për të adresuar problemet bazë të shoqërisë shqiptare.

Tabaku theksoi se situata aktuale në vend është alarmante, duke përmendur ngjarjet kriminale të fundit si shembull të një mjedisi ku qytetarët ndihen të pasigurt edhe në përditshmëri.

“Sot, ke frikë të ecësh në rrugë. Në derën e shkollës mund të ndodhin tragjedi, dhe duke u kthyer nga puna mund të humbasësh jetën,” deklaroi ajo, duke bërë thirrje për ndryshim të menjëhershëm në mënyrën e qeverisjes.

Duke vazhduar fjalën e saj, Tabaku theksoi se Shqipëria ka nevojë për një model drejtimi që ofron shpresë, siguri dhe mirëqenie për qytetarët, duke apeluar për reflektim mbi rrugën që duhet ndjekur për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

Ajo e mbylli fjalimin duke shprehur urimin që ky të jetë buxheti i fundit i qeverisë socialiste.

“Jam e sigurt që atë që nuk e sollën në 11 vite nuk kanë për ta sjellë në vitin e 12 . Pensionistët kanë nevojë për një sistem të ri pensionesh pa lëmoshë sa herë që ka zgjedhje”, tha Tabaku.

“Vrasja e një të mituri 14-vjeçar në pragun e shkollës është tragjedi që nuk mund të kalojë pa reflektim të thellë.  Kur një qeveri drejton përmes shembullit dhe kur shembulli që jep është dhuna verbale janë fyerjet, gjuha e egër që nxit përçarje, atëherë çfarë mund të presim nga qeveria.

Si mund të kërkojmë nga të rinjtë që t’i zgjedhin konfliktet me dialog kur drejtuesit vetë nxisin me gjuhën e tyre.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu dhe ky është momenti ku duhet reflektojmë për një Shqipëri që ofron siguri, mirëqenie , një model drejtimi që frymëzon shpresë dhe jo dëshpërim.

Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit kanë treguar se sot ke frikë të ecësh në rrugë,  se sot në derën e shkollës vritesh, se sot duke u kthyer nga puna në shtëpi mund të humbësh jetën. Kjo është Shqipëria përtej shifrave e megallomanisë të këtij buxheti.

Shqiptarët s’janë të njëjtë me ata të viti 2013 kur socialistët morën pushtetin. Sot vendi është boshatisur, 700 mijë shqiptarë kanë emigruara.

Duke uruar që ky të jetë buxheti i fundit i socialistëve…jam e sigurt që atë që nuk e sollën në 11 vite nuk kanë për ta sjellë në vitin e 12 .

Pensionistët kanë nevojë për një sistem të ri pensionesh pa lëmoshë sa herë që ka zgjedhje”-deklaroi Tabaku.