Komisioni i Prokurimit Publik i ka kërkuar Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që të anulojë procedurën që lidhet me evadimin e mbetjeve hidrokarbure nga TEC Lundrues Vlorë dhe trajtimi i tyre përfundimtar.
Pas një ankimimi të bërë pranë këtij institucioni në vendimin e pak ditëve më parë është vendosur që të pranohet pjesërisht ankesa e një operatori ekonomik për tenderin e hapur në muajin gusht. Vlera e fondit limit për këtë procedurë është vetëm 320 mijë euro por parashikon evadimin e mbetjeve për një periudhë shumë të kufizuar kohe, konkretisht prodhimin e energjisë nga këto TEC-e deri në konsumimin e 25 mijë tonëve naftë.
Në dokumentet e procedurës së mëparshme të KESH që tashmë në sistem rezulton e anuluar sqarohen detaje teknike mbi mënyrën e akumulimit dhe trajtimit të mbetjeve që mund të gjenerohen nga TEC-et lundrues.
“Mbetjet hidrokarbure të lëndës djegëse grumbullohen në një depozitë për secilën anije. Secila anije ka një kapacitet rezervuari prej 50 m3 mbetje të lëndës djegëse dhe kapaciteti total i mbajtjes për të 2 (dy) anijet është 100 m3.
Nga përllogaritjet historike të bëra prej kontraktorit Renco s.p.a, për një kapacitet ditor prodhimi të plotë prej 17 motorësh, mbetjet e lëndës djegëse përllogaritet 6 m3 /ditë për secilën anije dhe 12 m3 /ditë për të 2 (dy) anijet. Konsumi total i lëndës djegëse i të dy njësive gjeneruese termike me kapacitet të plotë është 540 ton për 24 orë funksionim.
Nga kjo rezulton që për 1 ton lëndë djegëse i korrespondon sasia prej 0.0222223 m3 /ton. Nga sa më sipër, për një prodhim të plotë përllogaritet që secila nga dy depozitat mbajtëse të mbetjeve të lëndëve djegëse të mbushet për 8 (tetë) ditë, pra nevojitet boshatisja me tanker nga operatorët e specializuar çdo 8 ditë (48 m3 secila anije)” thuhet në dokument.
Sipas të njëjtit ofertuesit duhet të sigurojnë dhënien e shërbimit gjatë gjithë periudhës që do të konsumohet sasia e lëndës djegëse prej 25,000 ton.
Në mënyrë përmbledhëse shërbimi i kërkuar do të përbëhet nga tërësia e elementëve të përcaktuara si më poshtë, të cilat të kryhen nga ofertuesi me qëllim evadimin e mbetjeve hidrokarbure që do të prodhohen nga konsumi i 25,000 ton lëndë djegëse.
Asetet gjeneruese termike u morën si një masë në vitin 2022 në kushtet e krizës së energjisë. Procedura u shpall në fund të vitit 2021 por vetëm në muajin Prill 2022, u nënshkrua mes palëve (Exelerate dhe Renco & KESH sh.a).
Në muajin Shtator 2022, në zonën e Triportit, pranë Petroliferas, u vendosën asetet lundruese. Këto asete nuk janë vendosur asnjëherë në punë ndërkohë që kostoja e 1 MQ energji të prodhuar në fillim të vitit 2023 llogaritej mbi 290 euro
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor