Vendosni fjalën kyçe....

Trump zgjedh ish-kongresmenin Sean Duffy si ministër Transporti


Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ai po emëron ish-Kongresmenin e Wisconsin dhe prezantuesin e Fox Business News, Sean Duffy, si Sekretar Transporti.

Nëse konfirmohet, Duffy do mbikëqyrë politikat e aviacionit, automobilave, hekurudhave, tranzitit dhe mjeteve të tjera të transportit në departament me një buxhet rreth 110 miliardë dollarë si dhe fonde të konsiderueshme që mbeten nën ligjin e infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh të administratës Biden të vitit 2021.

“Jam i etur t’ju ndihmoj të hapni një epokë të re të artë të transportit,” shkroi Duffy në rrjetet sociale.

Trump është zotuar të ndryshojë rregullat e administratës Biden për ndotjet e automjeteve. Ai ka thënë se ka në plan të fillojë procesin e zhbërjes së rregulloreve të rrepta të administratës Biden për ndotjet të miratuara në fillim të këtij viti, sapo të marrë detyrën.

Rregullat ulin kufijtë e ndotjes së gazrave me 50% nga nivelet e vitit 2026 deri në vitin 2032 dhe nxisin prodhuesit e automjeteve të ndërtojnë më shumë automjete elektrike.