Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kanë paralajmëruar reshje intensive të shiut gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri dhe qendër të Shqipërisë. Sipas informacionit të Qendrës së Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, reshjet më të dendura priten të premten, më 22 nëntor, në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan, ku ato mund të arrijnë në nivele “shumë intensive”.
Në pjesën tjetër të vendit, priten reshje mesatare, por në disa zona këto mund të intensifikohen lokalisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të emergjencave civile dhe të institucioneve që administrojnë infrastrukturën kritike, përfshirë hidrovoret, rezervuarët, rrjetin rrugor, furnizimin me energji dhe ujë, si dhe monitorimin e nivelit të lumenjve.
Prefekturat dhe bashkitë janë udhëzuar të mobilizojnë strukturat e menaxhimit të emergjencave dhe të monitorojnë nga afër zonat me rrezik më të lartë për përmbytje apo dëme nga reshjet.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare për përditësime mbi situatën.
“Mot me reshje të dendura pritet gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të vendit.
Bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.
Në qarqet e tjera priten reshje mesatare, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në nivelin “intensive”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.
AKMC u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë strukturat për menaxhimin e emergjencave civile dhe të monitorojnë situatën në zonat me rrezik më të lartë”-njofton AKMC.