Vendosni fjalën kyçe....

Putin nënshkruan doktrinën e re bërthamore të Rusisë, çfarë parashikon urdhri (6 pikat kyçe)


Pak ditë pasi presidenti amerikan Biden i dha dritën jeshile Ukrainës që të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi thellë në territorin rus, ka ardhur kundërpërgjigjia e Moskës.

Presidenti rus Putin ka nënshkruar zyrtarisht doktrinën e re kombëtare bërthamore që përshkruan skenarët në të cilët Moska do autorizohej të përdorte arsenalin e saj bërthamor.

Më poshtë janë 5 pikat kryesore të doktrinës së re të hyrë në fuqi

1. Politika shtetërore për parandalimin bërthamor është me natyrë mbrojtëse, ajo ka për qëllim ruajtjen e potencialit të forcave bërthamore në nivelin e mjaftueshëm për frenimin përmes mjeteve bërthamore të një agresioni të huaj dhe garanton mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit, si dhe parandalimin e një kundërshtari të mundshëm të kryejë agresion kundër Federata Ruse dhe/ose aleatët e saj. Në rast të një konflikti ushtarak, kjo politikë parashikon parandalimin e një përshkallëzimi të veprimeve ushtarake dhe përfundimin e tyre me kushte që janë të pranueshme për Federatën Ruse dhe/ose aleatët e saj.

2. Federata Ruse i konsideron armët bërthamore si një mjet parandalimi, përdorimi i tyre është një masë e skajshme dhe e detyruar dhe ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të pakësuar kërcënimin bërthamor dhe për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, që mund të shkaktojnë konflikte ushtarake, përfshirë ato bërthamore.

3. Federata Ruse siguron parandalimin përmes meteve bërthamore prej një kundërshtari të mundshëm, që nënkupton çdo shtet individual ose koalicion ushtarak (blloqe, aleanca) që e shohin Federatën Ruse si një kundërshtar të mundshëm dhe zotërojnë armë bërthamore dhe/ose armë të tjera të shkatërrimit në masë ose konvencionale ose forca me aftësi të konsiderueshme luftarake. Parandalimi përmes mjeteve bërthamore i një agresioni të huaj përdoret gjithashtu ndaj çdo shteti që siguron territorin, hapësirën ajrore dhe/ose hapësirën detare nën kontrollin e tyre, si dhe burime për përgatitjen dhe kryerjen e një agresioni kundër Federatës Ruse.

4. Një agresion i çdo shteti të vetëm nga një koalicion ushtarak (blloku, aleanca) kundër Federatës Ruse dhe/ose aleatëve të saj do konsiderohet si agresion i koalicionit (bllokut, aleancës) në tërësi.

5. Një agresion kundër Federatës Ruse dhe/ose aleatëve të saj të çdo shteti jobërthamor me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor do konsiderohet si sulm i tyre i përbashkët.

6. Federata Ruse rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore dhe/ose armëve të tjera të shkatërrimit në masë kundër vetes dhe/ose aleatëve të saj, si dhe në rast të një agresioni kundër Federatës Ruse dhe/ose Republikës së Bjellorusisë që përdor armë konvencionale, nëse një agresion i tillë krijon një kërcënim kritik për sovranitetin dhe/ose integritetin territorial të tyre.

7. Vendimi për përdorimin e armëve bërthamore merret nga Presidenti i Federatës Ruse.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani