Pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një plan të ri për rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e dhunës mes të rinjve.
Rama deklaroi se shkollat dhe klasat do të pajisen me kamera inteligjente për të monitoruar situatat në kohë reale. Ai shtoi se prindërit do të kenë mundësinë të ndjekin aktivitetet e fëmijëve të tyre përmes sistemit digjital të kontrollit. Ky projekt parashikohet të përfundojë brenda 20 muajve.
“Ky sistem do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizmit në shkolla. Në të njëjtën kohë, prindërit do të mund të shohin çdo situatë që lidhet me fëmijët e tyre,” tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje ndikimin negativ të rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat, duke i cilësuar ato si nxitës të dhunës dhe bullizmit. Ai njoftoi se po shqyrtohen masa për kufizimin ose mbylljen e këtyre platformave në bashkëpunim me këshillat e prindërve.
“Jemi duke punuar intensivisht për ngritjen e një sistemi digjital për kontrollin e shkollave, me kamera inteligjente në çdo rrugë dhe rrugët e qytetit. Po punojmë për këtë projekt me qeverinë.
Në rritjen e sigurisë dhe rezultatet mbresëlënëse për rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizimit nëpër shkolla, së shpejti do ta prezantojmë publikisht dhe do të nisim punën për zbatimin e tij që synojmë ta mbyllim në harkun e 20 muajve, ndërkohë që hap pas hapi shkollat do të pajisen me këtë sistem.
Prej disa vitesh kemi ndaluar hyrjen e telefonave në shkollë, me punonjësit e sigurisë dhe psikologët, që kanë sjellë rezultate por me mbikëqyrjen e klasave dhe shkollave, prindërit do të mund të shohin çdo gjë që duan për fëmijët e tyre.
Tragjedia e 14-vjeçarit, e familjes së tij dhe shkollës është shumë e madhe për tu futur në një pseudo sherr që dëmton përditë dhe përnatë”, deklaroi Rama.