Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Salla e Parlamentit është shkollë e hapur dhune dhe nxitës i saj


Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp, Rama ka vënë theksin tek ndikimi negativ i rrjeteve sociale, duke propozuar një konsultim me këshillin e prindërve për mbylljen e platformave si TikTok dhe SnapChat.

Sipas kryeministrit, këto rrjete janë ndër burimet kryesore të nxitjes së dhunës dhe bullizmit mes të rinjve, duke kontribuar në tragjedi si kjo e fundit. Ai theksoi se përgjegjësia për edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nis nga familja, shkolla dhe vazhdon në institucionet publike, përfshirë median dhe parlamentin, që sipas tij shpesh promovojnë gjuhën e dhunës.

“Gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vet të fronin për mbrojtjen e fëmijëve, nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda shkollës, dhe më pas në ekranet e TV ku shumica e tyre derdhin lot krokodili janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe nxitës të saj. Duke përfshirë edhe sallën e Parlamenti që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitës i saj.

I siguroj prindërit se unë personalisht në pjesën time të frontit së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatëshëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur cilësinë e rrjeteve sociale.

Pres me padurim rezultatin e këshillimit të prindërve lidhur me qasjen që duhet të zgjedhim për TikTok SnapChat apo të dyja bashkë.

Nga hulumtimet tona janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe akteve të bullizmit deri dhe në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me përgjigje sa më efektive”,-  u shpreh Rama.