Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 14-vjeçarit, Manastirliu: Siguria e fëmijëve, prioriteti ynë


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një takim me përfaqësues të Ministrive, drejtues të institucioneve qendrore dhe vendore, prindër, mësues dhe partner ndërkombëtarë, theksoi se fuqizimi i sigurisë në shkolla përmes mekanizmave që parandalojnë dhunën, mbetet prioritet i MAS.

“Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë absolut dhe fuqizimi i mekanizmave të parandalimit ndaj çdo forme dhune brenda apo jashtë shkolle, mbetet angazhimi ynë i përbashkët.

Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë është një kambanë e fortë e cila kërkon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes trinomit mësues – prindër – nxënës; një qasje të re në kurrikulën e edukimit qytetar, ligjor, mediatik dhe digjital në gjithë ciklin e arsimit, duke adresuar sfidat e kohës që jetojmë dhe zhvillimin teknologjik dhe social”, u shpreh Manastirliu në postimin në facebook.

Në takimin e posaçëm me përfaqësues të Ministrive, drejtues të institucioneve qendrore dhe vendore, prindër e mësues, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, ministrja u shpreh se janë diskutuar një plan masash të shtuara për të fuqizuar sigurinë në shkolla.

“Diskutuam për masat e shtuara për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, përmes një Plani Veprimi për parandalimin e çdo forme të dhunës dhe rritjes së sigurisë në shkolla, duke filluar nga kurrikula e edukimit, përmirësimi i protokolleve të punonjësve të shërbimit social dhe psikolog si dhe oficerëve të sigurisë në shkolla; tek platformat proaktive të sinjalizimit të rasteve të konflikteve, të çdo forme të dhunës, bullizmit përfshirë atë online dhe shërbimet për trajtimin e fenomeneve në strukturat arsimore dhe komunitet”.