Vendosni fjalën kyçe....

Moti i keq përfshin vendin, reshje, erëra të forta dhe probleme në infrastrukturë


Reshjet e shumta të shiut dhe era e fortë gjatë natës kanë shkaktuar dëme dhe problematika në disa zona të vendit. Në Bulqizë, disa fshatra mbetën pa energji elektrike për shkak të motit të rënduar, ndërsa rrëshqitjet e gurëve dhe inertesh në rrugën e Arbrit, pranë fshatit Krajk, penguan përkohësisht qarkullimin e mjeteve. Megjithatë, kalimi në Bypass-in e rrugës së Arbrit nuk ka pësuar ndërprerje.

Në Lezhë, stuhia detare ka detyruar kapitenerinë e Portit të Shëngjinit të pezullojë lundrimin për anijet e vogla dhe ato të peshkimit për shkak të detit të trazuar, me dallgë deri në 2 metra dhe erëra që arrijnë shpejtësinë 20 m/s.

Lundrimi pritet të rifillojë pas përmirësimit të kushteve atmosferike, që parashikohet të ndodhë pas mesditës së së shtunës. Strukturat lokale janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Në Pukë, era e fortë ka dëmtuar çatinë e Spitalit Rajonal, ndërsa në Durrës dhe zonat përreth nuk raportohen problematika të rëndësishme.

Ndërsa ne zonat malore të veriut si Bogë-Theth dhe Hani i Hotit-Tamarë, reshjet e borës në lartësitë mbi 1200 metra kanë kërkuar ndërhyrjen e mjeteve borëpastruese për të mbajtur rrugët të kalueshme.

Raportohet se në Bashkinë Vau i Dejës, në disa fshatra të njësive administrative, Bushat, Hajmel dhe Vig-Mnele, mungon plotësisht energjia elektrike.

E njëjta problematikë dhe në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, janë dëmtuar pothuajse të gjitha rrugët rurale, janë shënuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh në rrugë.

Po ashtu, që nga dje pasdite, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Qafë-Mali, Iballe dhe Blerim.