Vendosni fjalën kyçe....

Prezantuesja e njohur dhe bashkëshortja e saj braktisin SHBA-në pas fitores së Trump


Komediania dhe ish-prezantuesja e njohur Ellen DeGeneres ka braktisur SHBA-në dhe është transferuar në Angli pas fitores së presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump.

Një burim i afërt me DeGeneres dhe partneren e saj Portia de Rossi tha për The Wrap se çifti i famshëm kanë nxjerrë në shitje shtëpinë e tyre në Montecito dhe janë zhvendosur në Cotswolds, një zonë rurale në Angli. Zgjedhja e Trump dyshohet se ishte motivimi kryesor i çiftit.

Shkruan The Wrap:

Ellen DeGeneres dhe gruaja Portia de Rossi janë shpërngulur në Anglinë rurale, kanë vendosur pronën e tyre në Montecito në shitje dhe planifikojnë të mos kthehen më në Shtetet e Bashkuara, duke u thënë miqve se zgjedhja e Donald Trump ishte motivimi i tyre kryesor për të ikur, tha për The Wrap një person i afërt me ish-prezantuesen televizive. DeGeneres tashmë është zhvendosur në Cotswolds, një zonë rurale në Anglinë jugqendrore, tha personi, duke shtuar se rezidenca e saj në Montecito, afërsisht 90 minuta në veri të Los Anxhelosit, ka qenë në listën e shitjes ose do listohet së shpejti. Një përfaqësuese e Riskin Partners, kompania prestigjioze e pasurive të patundshme që ajo mban, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të mërkurën.

Megjithëse DeGeneres nuk e ka komentuar publikisht këtë çështje, zgjedhja e saj për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara në përgjigje të zgjedhjes së Trump shënon një kthesë të habitshme për të, duke qenë se ajo vetë u përball me një fushatë anulimi nga e majta në internet për shkak të miqësisë së saj publike me ish-presidentin republikan Xhorxh W. Bush, shkruan Breibart.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani