Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, prindërit: Jemi vonë! Një i ri sot nuk është pranë familjes


Gjatë një tubimi sensibilizues për sigurinë e fëmijëve pas tragjedisë së 14-vjeçarit Martin Cani, një nga prindërit, Migen Qiraxhi nga organizata “Qendresa Qytetare,” shprehu dhimbjen dhe indinjatën e tij për ngjarjen, duke e cilësuar përgjigjen e institucioneve si të vonuar dhe të pamjaftueshme.

Ai theksoi nevojën urgjente për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe për të nxitur një arsim që edukon dhe ndërgjegjëson, në vend që të shërbejë për interesa politike.

“Për fat të keq ne që jemi sot këtu kemi ardhur shumë vonë, për të gjitha problemet që në një mënyrë apo në një tjetër ne i dinim.
Kemi ardhur por një i ri nuk është më dhe nuk është më pranë familjes së tij.

 Për këtë arsye sigurisht që qytetarët, prindërit, nxënësit që sot janë këtu, duhet të japin një mesazh të fortë e të menjëhershëm. Duhet të ndërgjegjësohemi e të edukojmë fëmijë të denjë.

Siguria e fëmijëve tanë nuk pret. Ndaj vendi ynë ka institucione, shkolla duhet të edukojë fëmijët para se siç shohim shpesh të kthehen në vatra votash e punësimesh”, tha Migen Qiraxhi nga Qendresa Qytetare.