Shtetet e Bashkuara vunë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të përhershëm midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve, por nuk e kushtëzonte njërin nga tjetri, shkruan Times of Israel.
Të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit prej 15 vendesh votuan në favor të rezolutës, që u iniciua nga 10 anëtarët jo të përhershëm të panelit.
“Një fund i qëndrueshëm i luftës duhet të vijë me lirimin e pengjeve. Këto dy synime menjëhershme janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Kjo rezolutë e braktisi këtë domosdoshmëri dhe për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mbështesin atë”, tha zëvendësambasadori amerikan në OKB Robert Wood.
Wood tha se SHBA kishte kërkuar kompromis, por teksti i rezolutës së propozuar do t’i kishte dërguar një “mesazh të rrezikshëm” Hamasit se “nuk ka nevojë të kthehet në tryezën e bisedimeve”.
Teksti i dorëzuar të mërkurën bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” dhe, në të njëjtën fjali, për “lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, por nuk vinte një lidhje të qartë mes tyre.
Zyrtari pohoi se disa anëtarë ishin më të interesuar të sillnin një veto të SHBA-së sesa të bënin kompromis me rezolutën, duke akuzuar kundërshtarët e SHBA-së, Rusinë dhe Kinën për inkurajimin e këtyre anëtarëve.