Në një atmosferë solemne, Kolegji i Europës festoi 75-vjetorin e tij në Bruksel, duke përkuar me hapjen zyrtare të kampusit të tij të tretë në Tiranë.
Të ftuar të nderit në ceremoni ishin kryetarët e Bashkive të Tiranës, Bryzhit dhe Varshavës, qytete, që janë pritës të Kolegjit të Europës.
Duke iu drejtuar audiencës së të diplomuarve ndër vite (Alumni) të kolegjit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu krenarinë për përfshirjen e Tiranës si një nga tre qytetet që presin kampuset e këtij institucioni prestigjioz.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Tirana është pjesë e tre qyteteve që kanë një kampus të Kolegjit të Europës, bashkë me Bryzh dhe Natolin [Varshavë], me të cilat ndajmë një eksperiencë fantastike dhe ku ka ndodhur zgjerimi i parë për vendet e Evropës Qendrore. Hapja e kampusit në Tiranë sinjalizon një hapje të re dhe një zgjerim të ri, jo vetëm si anëtarësim në BE, por edhe si mentalitet evropian”, tha Veliaj.
Ai shtoi se ky projekt ka transformuar jo vetëm “Qytetin Studenti”, por edhe vetë Tiranën, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor e arsimor. Veliaj ndau lajmin e mirë për zgjerimin e kampusit vitin tjetër.