Qytetarë, prindër dhe nxënës janë bashkuar sot në një marshim sensibilizues për të kërkuar drejtësi dhe për të parandaluar ngjarje tragjike si ajo e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Marshimi, i cili u zhvillua nën moton “Prindërit në protestë për sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, nisi nga shkolla “Fan Noli” ku Martini ishte nxënës drejt Ministrisë së Arsimit.
Pjesëmarrësit mbajnë pankarta me mesazhe prekëse si: “Martin Cani, një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Pse bën sikur jeton në një vend normal?”, “Një yll u shua, mos e lini natën pa yje.”, “Heshtja jonë po na vret fëmijët” dhe “Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin?”. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar sigurinë në shkolla dhe për të parandaluar dhunën mes të rinjve.
“Martin, të kemi vrarë të gjithë nga pak”, ishte një tjetër mesazh që qytetarët ndanë gjatë këtij marshimi. Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, duke bërë thirrje për ndryshim të politikave dhe masave që mbrojnë jetën dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla dhe në komunitet.