Vendosni fjalën kyçe....

Bosch do shkurtojë 5500 vende pune


Kompania gjermane e teknologjisë dhe shërbimeve Bosch tha të premten se planifikon të zvogëlojë fuqinë punëtore të sektorit të automobilave me deri në 5,500 vende pune në vitet e ardhshme, si një tjetër shenjë e vështirësive që godasin industrinë gjermane dhe globale të automobilave.

Kompania përmendi ngecien në vend të shitjeve globale të automjeteve, kapacitetin e tepërt të fabrikës në industrinë e automobilave në krahasim me perspektivat e shitjeve dhe një tranzicion më të ngadaltë se sa pritej në automjete me energji elektrike, shkruan AP.

Rreth 3,500 nga shkurtimet e vendeve të punës do vijnë para fundit të vitit 2027 dhe do prekin pjesën e kompanisë që zhvillon asistencën e përparuar për shoferin dhe teknologjinë e automatizuar të drejtimit si dhe softuer të centralizuar të automjeteve, tha Bosch. Rreth gjysma e këtyre shkurtimeve do të ndodhin në Gjermani.

“Industria e automobilave ka mbikapacive të konsiderueshme,” tha kompania në një deklaratë.

“Përveç kësaj, tregu për teknologjitë e ardhshme nuk po zhvillohet siç pritej fillimisht. Për momentin, shumë projekte në këtë fushë biznesi janë duke u shtyrë ose braktisur nga prodhuesit e automjeteve.”

Bosch ka një fuqi globale prej 429.000 punonjësish. Përveç biznesit të tij si furnizues i industrisë së automobilave, Bosch prodhon pajisje dhe softuer për fabrika dhe ndërtime në një sërë produktesh, duke përfshirë kaldaja industriale, sisteme sigurie dhe vegla elektrike.