Vendosni fjalën kyçe....

Shpall falimentin Northvolt, fabrika më e madhe në Evropë e prodhimit të baterive për makinat elektrike


Shefi ekzekutiv i Northvolt, Peter Carlsson, ka dhënë dorëheqjen vetëm 24 orë pasi prodhuesi suedez i baterive paraqiti kërkesën për falimentim në Shtetet e Bashkuara, në një goditje të madhe për ambiciet e kalimit të Evropës te makinat elektrike.

Carlsson, i cili bashkëthemeloi Northvolt në 2016 dhe e ka drejtuar atë që atëherë, do tërhiqet me efekt të menjëhershëm, tha kompania të premten. Ai do mbetet në bord dhe do veprojë si këshilltar i lartë ndërsa shefi financiar, Pia Aaltonen-Forsell, do marrë rolin e përkohshëm të shefit ekzekutiv. Ajo do mbikëqyrë operacionet e Northvolt, të cilat përfshijnë rreth 6600 punonjës në shtatë vende.

Deklarimi i falimentimit pason muaj të tërë të tendosjes financiare të Northvolt, deri para pak kohësh një nga kompanitë ikonë të përpjekjeve të Evropës për të ndërtuar një industri të baterive të makinave elektrike.

Carlsson pranoi se firma kishte para të mjaftueshme vetëm për të mbajtur operacionet për një javë më shumë. Ai tha gjithashtu se ndërsa kompania me bazë në Stokholm siguroi një paketë financimi prej 100 milionë dollarësh për ta mbështetur gjatë procesit të falimentimit, do t’i duheshin midis 1 miliardë dhe 1.2 miliardë dollarë për të stabilizuar financat e saj.

“E sotmja shënon një fazë të re të rëndësishme për Northvolt si dhe për mua personalisht,” pranoi Carlsson, duke shtuar se masa e falimentimit vullnetar do t’i lejojë Northvolt të ristrukturojë borxhin, të zvogëlojë dhe të sigurojë një bazë të qëndrueshme për funksionimin e tij të vijueshëm.

Ai vuri në dukje se Northvolt Ett, fabrika kryesore e baterive në veri të Suedisë si dhe Northvolt Labs, do vijojnë të funksionojnë si zakonisht gjatë procesit të ristrukturimit, i cili pritet të përfundojë në tremujorin e parë të 2025.

Rënia e shpejtë

Northvolt dikur u shpall si një gur themeli i shtytjes së Evropës për të rivalizuar Tesla-n dhe prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike në industrinë në zhvillim të baterive. Kompania prodhoi bateri litium-jon, natrium-jon dhe litium-metal dhe siguroi kontrata të rëndësishme me prodhuesit kryesorë të automjeteve, duke përfshirë Volkswagen.

Pasuria e prodhuesit të baterive filloi të lëkundet mes një rënieje të kërkesës globale për makinat elektrike në fillim të këtij viti. Northvolt u përpoq të zbatonte masa për uljen e kostove, të tërheqë investime të reja dhe të aplikonte për grante qeveritare, por këto përpjekje dështuan.

Në vitin 2022, kompania e krijuar nga dy ish-drejtues të Tesla-s zbuloi planet për të ndërtuar një fabrikë të dytë në Suedi, të quajtur Northvolt Fem, që fillimisht kishte për qëllim të prodhonte qeliza baterie dhe materiale katodike aktive. Deri në vitin 2023, projekti u anulua për shkak të kufizimeve financiare. Përpjekjet për ta bërë kompaninë publike gjithashtu ngecën, me planet për një ofertë publike fillestare, e synuar fillimisht për vitin 2023 ose fillimin e vitit 2024, të mbetura për një kohë të pacaktuar.

Motoja e Northvolt, “Çojeni naftën në arkivat e historisë”, kapi vizionin ambicioz që e çoi atë në ballë të lëvizjes së energjisë së gjelbër të Evropës. Megjithatë, paaftësia e saj për të lundruar në sfidat e shkallëzimit të prodhimit dhe mbajtjes së shëndetit financiar ndikoi në bilancin e saj.

Peter Carlsson

Problemet e saj financiare erdhën në fokus në korrik, kur ajo raportoi se humbja e saj operative ishte më shumë se trefishuar në vitin 2022, duke arritur në 1.03 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat panë vetëm një rritje modeste në 128 milionë dollarë.

Vështirësitë e kompanisë u përshkallëzuan gjatë gjithë verës. Në gusht, ajo mbylli degën e saj amerikane Cuberg dhe zhvendosi operacionet e saj të kërkimit dhe zhvillimit nga Kalifornia në Suedi.

Një muaj më vonë, ajo njoftoi vonesa për impiantet e planifikuara të baterive në Kanada dhe Gjermani, së bashku me një pakësim global të fuqisë punëtore prej 20% dhe një shkurtim 25% të stafit të saj suedez.

Sfidat e prodhimit ndërlikuan më tej problemet e Northvolt. Kompania vazhdimisht luftoi për të përmbushur objektivat e saj javore të prodhimit të baterive, gjë që kontribuoi në humbjen e një kontrate furnizimi prej 2.1 miliardë dollarësh me BMW në qershor.

Pavarësisht pengesave të tij, Northvolt ka ruajtur një prani të konsiderueshme në tregun e baterive elektrike. Qelizat e tij përdoren nga prodhuesit kryesorë të automjeteve, duke përfshirë Porsche dhe Audi, dhe së fundmi ka zhvilluar një paketë baterish me një jetëgjatësi prej 1.5 milion km për kamionë elektrikë dhe traktorë Scania.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Mining.com

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani