Stuhitë e forta në mbarë vendin kanë shkaktuar probleme të shumta, sidomos në zonat veriore.
Ditën e djeshme era e forta shkuli çatinë e spitalit të Pukës duke nxjerrë jashtë funksionit pavionet e Patologjisë dhe Pediatrisë.
Era e fortë sot shkaktoi probleme edhe në pavionin e Kirurgjisë. Ndërkohë rrëshqitjet e gurëve dhe rrëshqitjet e dheut çuan në bllokimin e rrugës Prekal-Kir dhe Mes-Dukagjin.
Në Bulqizë, era e fortë shkaktoi probleme në çatinë e Pallatit të Kulturës. Shirat e dendur të pasdites kanë shkaktuar probleme në autostradën Lezhë-Thumanë.
Në Shkodër është shembur rruga në ndërtim e Dukagjinit duke lënë të izoluar dhjetëra banorë. Në Lezhë era e fortë ka dëmtuar linjat dhe janë pa energji elektrike disa fshatra në zonen e Zadrimës, Ishull-Lezha dhe pjesa e Bregut të Matës. Në Vaun e Dejës kanë mbetur pa energji elektrike fshatrat Njad Hajmel, Vig Mnelë, Temal dhe Shllak.
Në Kukës ka pasur probleme me energjinë elektrike në Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi. Në Has, pa energji kanë qenë fshatrat Golaj e Gjinaj.
Në Tropojë ka patur mungesë energjie elektrike në Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.
Lundrimi i peshkarexhave është pezulluar në Vlorë ndërkohë si pasojë e erërave të forta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike në zonat Orikum – Dukat – Llogara.
Në Durrës ështe anuluar lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas. Tragetet “AF Franchesca” dhe “Rigel VII” do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, 23 nëntor.