Transfertat kombëtare në euro po rriten me ritme të shpejta për të dytin vit radhazi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deri për 10 muajt e parë të vitit në sistemin kombëtar të pagesave në Euro, AIPS Euro, janë kryer afërsisht 265 mijë transferta në monedhën europiane.
Transfertat në Euro janë rritur me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, transfertat për 10-mujorin arritën në pothuajse 3.3 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%.
Në muajin tetor u shënuan nivelet më të larta mujore të transfertave në euro, si në numër, ashtu edhe në vlerë, duke tejkaluar madje nivelet e muajve të verës.
Shifrat e transfertave në euro, si në numër, ashtu edhe në vlerë, qysh në fund të 10-mujorit 2024 kanë kaluar vlerat e regjistruara në vitin e plotë kalendarik 2023.
Rritja e numrit dhe vlerës së transfertave kombëtare bankare në euro është një tregues i rritjes së mëtejshme të përdorimit të valutës në transaksionet e brendshme ekonomike në Shqipëri.
Në vitet e fundit, flusket valutore hyrëse në ekonominë shqiptare janë rritur ndjeshëm. Kjo rritje duket të jetë e lidhur me eksportin e shërbimeve, kryesisht me turizmin, por edhe me investimet e mëdha nga jashtë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregtuan se deri në fund të muajit shtator, depozitat bankare në Euro ishin në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.
Sistemi i pagesave AIPS Euro filloi funksionimin në janar të vitit 2022, me qëllimin uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane. Para ngritjes së këtij sistemi, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.
Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.
Me ngritjen e sistemit AIPS Euro, Banka e Shqipërisë përcaktoi edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.
Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme të lartë se 3 euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro.
Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor