Gjykata e Shkodrës liroi sot katër efektivët që u arrestuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dy ditë më parë. Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën në masakrën me katër vitkima në Dobraç të Shkodrës më 30 tetor 2024.
Efektivët Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj, Marte Martini u arrestuan pasi dyshohet se nuk kanë siguruar vendin e ngjarjes pas masakrës. Në rrjetet sociale u shfaq pas ngjarjes një person i veshur në të zeza që dyshohet se është Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit, njërit prej katër viktimave.
Ai nuk është gjetur ende dhe dyshohet se ka qenë në makinë me Hamza Licin e Arlind Bushatin, që mbetën viktimë pas atentatit, bashkë ne çiftin e bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha.
Efektivët kanë deklaruar në gjykatë se kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë bërë rrethimin e saj dhe kanë zbatuar procedurat standarde. Sipas tyre fillimisht kanë dëgjuar në radio se bëhej fjalë për aksident po më pas kanë zbuluar se ka qenë vrasje me armë zjarri. Efektiviët kanë thënë gjithashtu se nuk e njohin Ibrahim Licin dhe se në vendin e ngjarjes ka qenë kaos.
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë.
I gjithë hetimi i AMP-së nisi pas publikimit të një videoje ku shfaqet një person që dyshohet se është Ibrahim Lici, pranë trupit të pajetë të vëllait Hamza Lici, ku aty gjendet edhe një polic i Shqiponjave. Personi i tretë në makinën e viktimave, ende enigmatik e që mbeti i plagosur me 2 plumba në masakrën e Dobraçit, mendohet të ishte shënjestra kryesore e atentatorëve, mund të ketë lëvizur nga Shkodra në jugut të vendit, për t’u mjekuar.” – kanë deklaruar në seancë efektivët.