Vendosni fjalën kyçe....

Portreti i rrallë i Caravaggios shfaqet për herë të parë në Romë


Një portret i piktorit barok Caravaggio i mbajtur në një koleksion privat që kur u zbulua më shumë se 60 vjet më parë po shfaqet për publikun për herë të parë në një muze në Romë.

Caravaggio, emri i vërtetë i të cilit ishte Michelangelo Merisi, ishte një mjeshtër i teknikës chiaroscuro të ndriçimit për t’i bërë subjektet e tij të dukeshin të gjallë. Ai vdiq në 1610 në fund të të tridhjetave pas një jete të trazuar.

Portreti i tij i Imzot Maffeo Barberini, i cili do bëhej Papa Urban VIII i shekullit të 17-të – një mbrojtës i madh i arteve që kishte skulptorin dhe arkitektin Gian Lorenzo Bernini në mesin e të mbrojturve të tij – iu atribuua atij në 1963.

“Që nga ai moment nuk është parë kurrë në asnjë muze, nuk është dhënë kurrë hua për një ekspozitë, kështu që është hera e parë,” tha të premten Thomas Clement Salomon, Drejtor i Galerive Kombëtare të Artit të Lashtë.

Është një nga vetëm pak portretet e mbijetuara të Caravaggio-s, pasi shumica janë humbur ose shkatërruar dhe do shfaqet nga 23 nëntori deri më 23 shkurt 2025, tha muzeu.

“Vetëm shumë pak specialistë që nga vitet 1960 kanë pasur mundësinë ta shohin personalisht, dhe është një gjë të njohësh pikturën nga fotografitë dhe tjetër gjë ta shohësh personalisht dhe të kuptosh cilësinë e saj, fuqinë e saj pothuajse magnetike”, tha kuratorja Paola Nicita.

Portreti i Barberinit besohet se është pikturuar në fund të shekullit të 17-të dhe tregon papën e ardhshme, i cili mori detyrën në 1623, i ulur dhe me sa duket jep urdhra me dorën e djathtë.