Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, denoncoi përpjekjet e krimit të organizuar dhe autoriteteve shtetërore për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e përgjimeve të realizuara përmes platformave të koduara si Sky ECC dhe Encrochat.
Berisha deklaroi se këto përgjime kanë qenë vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar në shumë vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën.
Ai theksoi se këto prova jo vetëm që kanë çuar në zbardhjen e rrjeteve kriminale, por kanë parandaluar edhe një numër të madh krimesh.
“Të dashur miq.
Unë jam këtu sot gjithashtu për të denoncuar në emër të PD me forcën më të madhe faktin se organizatat kriminale dhe narkoshteti së bashku po bëjnë gjithçka kundër legjitimitetit të regjistrimeve të telefonatave të kriptuar.
Ju drejtohem sot për të shprehur shqetësimin tim më të thelle në lidhje me përpjekjet për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe efektivitetin e masave të përgjimit nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e regjistrimeve me Sky ECC, Encrochat.
Përdorimi i të dhënave të përgjimit me telefonat e kriptuar ka rezultuar një faktor vendimtar në shumë vende të BE-së – përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën – në luftën kundër krimit të organizuar.
Këto masa jo vetëm që kanë ndihmuar në zbardhjen e rrjeteve kriminale, por gjithashtu kanë parandaluar një numër të madh krimesh. Njohja e këtyre provave përputhet me rregullat ligjore në fuqi dhe shërben për mbrojtjen e shoqërive nga krimi.
Nga hetimet e serverave të bisedave dhe mesazheve me Sky ECC, Encrochat etj, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në këto biseda të kriptuara dhe se nga 60 mijë aparate telefonike të kriptuara që ishin në përdorim, 15 mijë kanë qenë në përdorim nga shqiptarët.
Nga këto 8 mijë janë përdorur brenda në Shqipëri nga anëtarë të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe nga zyrtarë të lartë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, prokurorë, gjykatës të të gjitha niveleve, zyrtarë të lartë të administratës, ministra. Përqendrimi më i lartë i tyre prej 74 aparatesh është gjetur se ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe vetë kryeministri Edi Rama ka pasur në përdorim 2-3 prej tyre. Ai personalisht është akuzuar direkt nga partnerja e Charles McGonigal se bisedonin se bashku me Sky ECC.”