Kandidati i opozitës së qendrës së majtë, Yamandu Orsi siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Uruguait, treguan rezultatet zyrtare të dielën, me 99% të votave të numëruara, në një garë që shkoi në raundin e dytë ku rezultati pritej të ishte i ngushtë.
Yamandu Orsi, favoriti parazgjedhor me disa pikë, siguroi një diferencë të vogël por të rehatshme prej 49,81% të votave ndaj konservatorit Alvaro Delgado 45,90%, treguan rezultatet zyrtare.
“Horizonti po ndriçon,” tha Orsi teksa iu drejtua mijëra mbështetësve të partisë së tij të Frontit të Gjerë në Montevideo, të cilët ishin mbledhur pranë një skene me pamje nga bregdeti i kryeqytetit për të pritur rezultatet.
“Unë do jem presidenti që bën thirrje për dialog kombëtar përsëri dhe përsëri,” tha ai.
“Vendi i lirisë, i barazisë dhe i vëllazërisë triumfon edhe një herë… Le të vazhdojmë në atë rrugë.”
Orsi, një ish-kryebashkiak i Canelones 57-vjeçar – i cili ka joshur firma të tilla si Google – ka thënë se do shmangte rritjen e taksave që mund të trembnin biznesin dhe në vend të kësaj do përqendrohet në tërheqjen e investitorëve, nxitjen e rritjes dhe aftësimin e punëtorëve.
Ai ka sinjalizuar gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me Evropën në luftën kundër trafikut të drogës dhe më shumë financime për sistemin e burgjeve.
Ndryshe nga ndarjet e mprehta djathtas-majtas në zgjedhjet e fundit në Argjentinë, Brazil dhe Meksikë, arena politike e Uruguait është relativisht pa tensione, me mbivendosje të konsiderueshme midis koalicioneve konservatore dhe liberale që konkurrojnë për poste.
Kostot e larta të jetesës, pabarazia dhe krimi i dhunshëm janë ndër shqetësimet më të mëdha të uruguaianëve, por inflacioni ishte lehtësuar në prag të zgjedhjeve dhe punësimi dhe pagat reale janë në rritje.