Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një tryezë të organizuar nga Shoqëria Civile për luftën kundër korrupsionit, ka theksuar angazhimin e institucionit që drejton për ndjekjen penale të gjyqtarëve të përfshirë në akte korruptive.
Dumani vuri në dukje se SPAK ka ndjekur penalisht një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh në të gjitha nivelet e gjykatave, por ngriti shqetësimin për ata që, pavarësisht se kanë kaluar procesin e vettingut, dyshohet se vazhdojnë të jenë të përfshirë në korrupsion.
‘Kemi një numër të madh subjektesh që kemi ushtruar ndjekjen penale. Do vazhdojmë ta bëjmë sa herë kemi indicie. E kam thënë dhe një herë tjetër. Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale. Komplimentet e mia dhe jam i hapur për bashkëpunime të tjera.’
Dumani theksoi se një numër i madh subjektesh janë nën hetim për korrupsion.
Gjatë fjalës së tij ai nënvizoi se shoqëria civile duhet të bashkëpunojë.
“Në rastet e korrupsionit ne i kemi përdorur të gjitha llojet e përgjimit dhe mjeteve të tjerave si mjet kërkimi prove. Në tërësi, ne sot, prokuroria e posaçme ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të GJK, gjykatës së shkallës së lartë, oficerë të policisë gjyqësore.
Pra kemi një numër të madh subjektesh për të cilit kemi shtruar veprën penale, do të vazhdojmë ta bëjmë se herë kemi indicie apo të dhëna se jemi para një vepre penale të tillë.
Shqetësimi më i madh janë ata që janë dhe kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksione të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Aktualisht ka premisa që mund të kryhen akte korruptive”, tha ai.
Dumani fton shoqërinë civile të jetë bashkëpunuese me SPAK, me analizat e saj.
‘Shikoj një bashkëpunim dhe ndërveprim e institucionit që drejtoj dhe dy organizatave të shoqërisë civile. Jam i hapur të bashkëpunojmë në të ardhmen. Tek gjetjet, nuk do analizoj procesin e vettingut.’