Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e paralajmëruar për nesër në orën 17:00 në Tiranë, gjatë një tryeze të organizuar nga Federata e Opozitës.
Noka kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për krim dhe korrupsion, dhe për përdorimin e “falangave kriminale” kundër diasporës shqiptare në Londër. Ai vlerësoi se reagimi i emigrantëve shqiptarë në Britani ishte një tregues i qartë se Rama nuk përfaqëson më interesat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
“Mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale. Është koha që qytetarët të ngrihen dhe të rimarrin pushtetin e tyre,” deklaroi Noka.
Ai nënvizoi rëndësinë e protestës së nesërme si një hap vendimtar për strategjinë e opozitës në përballjen me regjimin aktual, duke u shprehur: “Pushteti duhet të jetë i qytetarëve, jo i kusarëve. Koha jonë ka ardhur!”
“Të nderuar aleatë, të nderuar zonja dhe zotërinj, zhvillojmë këtë takim me aleatët në kuadër të federatës opozitare 24 orë pasi emigrantët tanë në Londër e pritën siç meritonte Noc Rrokun që kemi ne për kryeministër.
24 orë pasi i treguan vendin se ai nuk mund të jetë më përfaqësuesi i shqiptarëve si njeriu që ka shpopulluar Shqipërinë, që ka varfëruar Shqipërinë, që e ka zhytur Shqipërinë në krim dhe korrupsion e drogë, nuk mund të përfaqësojë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, as shqiptarët që jetojnë në diasporë.
Dje, Edi Rama me falangat e krimit që angazhoi në Londër kundër diasporës tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të qeverisë së tij kriminale.
Tregoi edhe njëherë se mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj ne të gjithë jemi sot në një momentum krejt tjetër politik pas 5 nëntorit, për PD-në, për demokracinë, për opozitën, ky monumentum është një shenjë shumë pozitive për ne, që duhet shfrytëzuar.
Konspiracioni kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, i organizuar nga Soros dhe Edi Rama nuk mund të funksionojë më pas datës 5 nëntor.
Pas datës 5 nëntor, falangat që ishin drejtuar për të likuiduar opozitën, përfundimisht u prenë me votën e qytetarëve amerikanë.
Ky momentum është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, pasi përpos 5 nëntorit, në një kohë rekord, PD-së dhe opozitës i vijnë në mbështetje dy rezoluta historike, ajo e CDI dhe e PPE. Në të dy këto rezoluta theksohet se në Shqipëri kemi një narkoshtet.
Në këto dy rezoluta theksohet se Shqipëria nuk është demokraci funksionale. Në Shqipëri opozitës i mohohen të drejtat e saj kushtetuese dhe ligjore.
Këto dy rezoluta dënojnë burgosjen e lidershipit të PD-së dhe opozitës në përgjithësi, duke vënë theksin tek keqpërdorimi i drejtësisë së re politike si një drejtësi që po përdoret për të eliminuar opozitën e këtij vendi.
Ndaj miq jemi mbledhur në këtë moment për të analizuar këtë situatë. Jemi 24 orë nga akti tjetër i mosbindjes civile që e kemi deklaruar që do jetë nesër në ora 17:00 në Tiranë.
Ne do diskutojmë edhe hapin e nesërm, por do diskutojmë edhe një strategji se si do ecë kjo opozitë për të detyruar këtë regjim për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë.
Ndërkombëtarët me dy rezoluta folën qartësisht. Tashmë është radha jonë, është radha e opozitës, është radha e shqiptarëve që të flasin.
Nesër në ora 17:00 është radha e qytetarëve që Tirana të jetë nën pushtetin e tyre. Ne do të bisedojmë hapat e mëtejshëm të kësaj strategjie.
Së bashku do u bëjmë thirrje në emër të opozitës të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë nesër të vërshojnë në ora 17:00 drejt Tiranës.
Pushteti duhet të jetë i qytetarëve, jo i kusarëve. Është koha që kusarëve t’u japim leksionin e duhur. Është koha që shqiptarët të ngrihen. Tashmë është koha jonë!”, deklaroi Noka.