Tashmë është bërë e qartë se boshllëku që ka lënë në mesfushë Toni Kroos pas pensionimit të tij, ka shkaktuar probleme të shumta tek Real Madridi.
Mungesa e ekuilibrit në mesfushë është një problem që Carlo Ancelotti duket se nuk ka arritur ende që t’i gjejë një zgjidhje teksa ka kaluar një kohë e konsiderueshme që prej nisjes së sezonit të ri të garave.
E kjo duket se do të marrë fund së shpejti, pasi drejtuesit e klubit mendojnë se kanë gjetur lojtarin me profil të ngjashëm si ai i Kroos.
Sipas një raportimi nga Marca, ‘Los Blancos’ kanë vënë në shënjestër mesfushorin e Real Sociedadit, Martin Zubimendi, para një lëvizje të mundshme gjatë afatit kalimtar veror.
Klubi madrilen po monitoron nga afër paraqitjet e tij këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll dhe thuhet se kanë mbetur të impresionuar nga kualiteti që ka shfaqur.
Në këtë mënyrë, raportimi i jep fund thashethemeve se gjiganti spanjoll do të synojë transferimin e Rodrit nga Manchester City.
Një tjetër arsye që mund të çojë deri tek transferimi i Zubimendit tek Reali është fakti se presidenti Florentino Perez po synon që të afrojë në ekipin e tij lojtarë spanjollë.
Kujtojmë se Zubimendi verën që lamë pas ka qenë njëri prej lojtarëve më të kërkuar në Evropë, ku tashmë dihet se ai kishte refuzuar Liverpoolin në favor të qëndrimit tek Real Sociedadi.