Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi nga sheshi para Bashkisë së Tiranës se Policia e Shtetit ushtroi dhunë ndaj protestuesëve.
Bardhi duke përmendur aksionin e SPAK, tha se zbatoi vetëm urdhrat e arrestit jashtë vendit dhe jo ato në Shqipëri, e sipas tij kjo tregon se Policia është e lidhur me krimin.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, s’njeh Kushtetutë dhe zbaton vetëm urdhra të paligjshëm. Në pikat e protestës ishin efektivë pa numër policie pa identifikim, s’e dimë nëse janë anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë ishin. Në pikat që nuk pati ndërhyrje të dhunshme të Policisë duket se atje ka pasur efektivë që e kanë kuptuar se urdhrat jepeshin me mesazh dhe ishin të paligjshëm. Kurse në dy pikat e tjera kishin marrë urdhër për ta shkelur ligjin”, tha Bardhi.
Deputeti tha se e kanë qytetarët në dorë sa do zgjasë protesta dhe do zbatohet vullneti i tyre.
“Protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar, te Bashkia. Do i bindemi vullnetit të qytetarëve, se deri kur do vazhdojë mosbindja civile. Kështu është kur ke polici nën ombrellën e krimit të organizuar, që lag qytetarët, hedh gaz lotsjellës dhe dhunon. Hapat tona do i bëjmë të ditura hap pas hapi”-deklaroi Bardhi