Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD, ka reaguar lidhur me operacionin e fundit të SPAK, për të cilin u lëshuan 21 masa sigurie, ndërsa pyet nëse organizata kriminale e drejtuar nga Suel Çela ka patur ndikim apo bashkëveprim me politikën.
Bardhi shkruan se SPAK ka provuar ndikimin e dyshuar të bandës së Elbasanit mbi policinë, drejtësinë apo median dhe ka zbadhur disa nga veprimtaritë kriminale të kësaj organizate kriminale.
“SPAK vlen të përgëzohet pa asnjë dyshim dhe e nxis të vijojë goditjet kundër krimit të organizuar. Por gjithashtu e nxis të veprojë pa kursyer asnjë anëtar të deklaruar apo të padeklaruar të krimit të organizuar, përfshirë ato që janë të veshur me pushtet politik! Është fakt se ndikimi i krimit të organizuar në jetën shoqërore dhe politike të vendit është forcuar së tepërmi gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Grupet kriminale jo vetëm kanë vepruar të pashqetësuara, por njëkohësisht janë fuqizuar ekonomikisht, si dhe kanë pushtuar/diktuar emërimet në pozicionet kyçe të qeverisjes së vendit. Për këtë lehtësim nga shteti gjatë gjithë qeverisjes së Edi Ramës, ata kanë shërbyer në mënyrë të vijueshme si Shtabe Elektorale të Partisë Socialiste gjatë fushatave zgjedhore, duke blerë vota, duke intimiduar dhe kërcënuar qytetarët”, shkruan Bardhi në postimin në rrjetet sociale.
Në vijim kreu i Grupit Parlamentar të PD shprehet se pyetjet që mbeten ende pa përgjigje dhe që duhet të marrin një reagim institucional sa më parë, që SPAK të jetë i besueshëm, janë:
🔻Po me politikën a kanë patur ndikim apo bashkëveprim Banda e Elbasanit?
🔻Kush e emërojë motrën e anëtarëve të bandës së Elbasanit në krye të agjencisë më të rëndësishme shtetërore, në një nga sektorët që rezulton të jetë më i përdoruri për të pastruar paratë e organizatave kriminale – sektori i ndërtimit? Znj. Adelajda Roka, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, vartëse direkte e Kryeministrit Edi Rama, rezulton se është njëkohësisht edhe motra e dy prej anëtarëve të Bandës së Elbasanit Marsel dhe Xhino Roka. SPAK duhet të hetojë kush ia propozoi Edi Ramës emërimin e saj si Drejtore e Përgjithshme e AZHT dhe pse Edi Rama e emëroi menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim?
🔻A ka patur ndërhyrje nga politika gjatë veprimeve të aksionit OFL për anëtarët e kësaj bande?
🔻A kanë qenë anëtarët e kësaj bande “Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste në Elbasan” gjatë zgjedhjeve të 2021 dhe cfarë po bëhet me kallëzimin e depozituar nga PD për këtë qëllim që në 7 Prill 2021, ku secili prej tyre ka qenë i indentifikuar me emër dhe mbiemër?
“Vetëm përgjigja e shpejtë ndaj këtyre pyetjeve do ta bënte të besueshëm hetimin e SPAK, duke na treguar të gjithëve se ky hetim nuk është detyrim me përcaktim i agjencive ligjzbatuese të huaja, por arritje e pjekurisë institucionale të prokurorisë së posaçme. Për interesin publik, të cilit duhet të mbrojë prokuroria e posaçme, politikanët që i shëbejnë krimit të organizuar apo ndërveprojnë me ta, janë shumë herë më të rrezikshëm sesa vetë anëtarët e organizatave kriminale. Këta të fundit, pa mbështetjen e pushtetit apo politikës, është më e lehtë të bien në rrjetën e drejtësisë dhe e kanë shumë më shumë të vështirë të kryejnë aktivitetin e tyre kriminal”, shkruan Gazment Bardhi.