Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku takohet me delegacionin nga parlamenti Italian: Procesi Integrimit nuk do të thotë që do mbyllim sytë nga problemet reale


Në një kohë kur Ballkani Perëndimor mbetet një fokus strategjik për Bashkimin Europian, një hap domethënës në forcimin e bashkëpunimit dypalësh u shënua gjatë takimit të kryetares së Komisionit të Çështjeve Europiane të Parlamentit Shqiptar, Jorida Tabaku, me delegacionin italian të Dhomës së Deputetëve për Politikat e BE-së, të kryesuar nga Filippo Vigna.

Ky takim shërbeu si një vijimësi e një nisme të rëndësishme të diplomacisë parlamentare.

 Znj. Tabaku ka nënshkruar më herët një marrëveshje bashkëpunimi me Senatin Italian, e cila synon thellimin e lidhjeve mes komisioneve të integrimit të dy vendeve, duke e kthyer këtë bashkëpunim në një platformë konkrete për shkëmbimin e ekspertizës dhe mbështetjen në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë takimit, znj. Tabaku ngriti disa nga sfidat më kritike që përballon Shqipëria:

1.Zgjedhjet elektorale , të cilat, sipas saj, janë shoqëruar shpesh me raste të votëblerjes dhe manipulimit, duke cenuar standardet demokratike.

2.Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetues e, një çështje që, përveçse dëmton shtetin ligjor, minon edhe besimin e qytetarëve te drejtësia.

3.Kufizimet për opozitën në Parlament , të cilat cenojnë lirinë e debatit politik dhe balancat demokratike të pushtetit.

4.Korrupsioni dhe krimi i organizuar , dy sfida që jo vetëm që frenojnë zhvillimin ekonomik, por edhe dëmtojnë besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë.

Znj. Tabaku nënvizoi se këto probleme nuk janë thjesht çështje të brendshme, por kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Ajo theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit duhet të jenë përparësi kombëtare për të shmangur që integrimi europian të shihet si një proces formal dhe jo si një reformë e thellë strukturore.

Nga ana tjetër, ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, duke vlerësuar në veçanti kontributin e strukturave Anti-Mafia dhe bashkëpunimin ekonomik, që janë kthyer në shtylla të rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Tabaku theksoi gjithashtu rëndësinë e përgatitjes së tregut shqiptar për implementimin e standardeve të BE-së, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për një integrim të suksesshëm.

Filippo Vigna, në rolin e tij si President i Komisionit për Politikat Europiane në Parlamentin Italian, shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë.

 Ai vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Itali si një faktor që ka forcuar lidhjet mes dy vendeve dhe garantoi se Italia do të vijojë të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Sipas tij, stabiliteti dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor janë prioritete jo vetëm për Italinë, por për gjithë Europën.

Ky takim nuk ishte thjesht një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, por një shembull i fuqisë së diplomacisë parlamentare për të adresuar sfidat dhe për të çuar përpara një vizion të përbashkët europian.

Bashkëpunimi mes dy komisioneve të integrimit tashmë është kthyer në një model që tregon se diplomacia institucionale mund të japë rezultate konkrete në forcimin e partneriteteve rajonale dhe përshpejtimin e reformave të domosdoshme.