Përmes një ceremonie solemne qyteti i Durrësit kremtoi këtë të martë 112-vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar, që do t’i hapte udhë Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Festa e flamurit në Durrës përkon edhe me 5-vjetorin e tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona, si dhe u rrënuan dhjetëra pallate dhe banesa.
Pasi kreu nderimet e rastit, kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako u pyet nga gazetarët për afatin përfundimtar të dorëzimit të apartamenteve për qytetarët, që janë në pritje prej 5 vitesh.
“Sot normalisht ne kujtojmë me dhimbje ata që kanë humbur jetën në tragjedinë që goditi qytetin e Durrësit dhe qytete të tjera. Është bërë një punë e madhe gjatë kësaj kohe për rikuperimin e dëmeve, praktitiksht kemi ndërtuar një qytet të ri, brenda qytetit. Aty ka ende disa punime për infrastrukturën, lidhur me rrjetet e OSSHE-së dhe Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat janë drejt fundit. Do t’i qëndrojmë këtij objektivi, besoj dhjetori dhe janari do të jenë një datë për të bërë dorëzimin e banesave”.
Përgjatë këtij harku kohor 5-vjeçar qytetarët e Durrësit kanë protestuar disa herë për shtyrjen e afatit të nisjes së punimeve apo për shtyrjen pa afat të dorëzimit të apartamenteve për ta.
Nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 Durrësi pati numrin më të madh të viktimave, si dhe të dëmeve materiale, ku veç banesave dhe pallateve u shembën tërësisht edhe disa hotele.