Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bulqizë, ku ka prezantuar projektin për Parkun Tematik Retro “Divizioni”, një iniciativë që synon të transformojë një zonë të dikurshme ushtarake dhe të degraduar në një destinacion turistik të ri. Rama theksoi se ky projekt do të krijojë kushte të reja për zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për artizanët e zonës, duke përfshirë gratë dhe fermerët që punojnë me produkte tradicionale dhe bimë medicinale.
Ai shtoi se parku do të mirëpresë vizitorë vendas dhe të huaj, duke ofruar mundësi për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e traditës ushqimore të zonës. Rama theksoi gjithashtu se, përmes përfundimit të tunelit të Murrizit, Dibra do të bëhet një pjesë e gjelbër dhe e lidhur më ngushtësisht me kryeqytetin, duke ofruar mundësi të reja për zhvillim dhe integrim të këtij rajoni.
Rama: Do të krijojë kushtet për të mikëpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës, gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme mes traditës ushqimore të kësaj zone, jo vetëm sa i përket produkteve të përgatitjes së zonës.
Do të mikëpresë edhe ata të cilët kultivojnë, apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit të bimëve medicinale.
Do mirëpresë familjet, gjyshërit, fëmijët, udhëtarë vendas apo turistë të huaj që po rriten vit pas viti në këtë qark, që deri dje kur flisje për turizëm të shihnin shtrembët sikur po talleshe.
Këtu është problem kur flet se të gjithë të shohin gati për të të kapur gabim dhe të hedhin fjalën nga e majta, ndërkohë që therja e fjalës të vjen nga e djathta.
Sot kur flet për turizëm askush nuk çuditet më. Pati një marrje mësysh me atë tunelin e Murrizit, por nga marrja mësysh, rruga do të dalë shumë e fortë, sepse ai tunel po shkon drejt përfundimit.
I ka dhënë gjithë zonës mundësinë që të përjetojë të qenit një jastëk i gjelbër i metropolit. Me përfundimin e tunelit, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se periferia e gjelbër e kryeqytetit të Shqipërisë.