Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku është pyetur nga Ylli Rakipi për akuzat që ka bërë ndaj Altin Dumanit, se ka përfituar tre apartamente duke aluduar për burimin e tyre.
Pasi dëgjoi në emision përgjigjen që Dumani kishte dhënë për këto akuza gjatë një interviste, Berisha vijoi me akuzat ndaj kreut të SPAK, ashtu siç ka bërë në çdo dalje të tij publike pasi është marrë i pandehur për aferën korruptive të dosjes së kompleksit “Partizani”.
Rakipi i kujtoi Berishës i cili është në arrest shtëpie se ka njerëz që flasin kështu edhe për apartamentet e vajzës së tij jashtë vendit.
Pjesë nga debati
Rakipi: Ju ndaj zotit Altin Dumani keni bërë reagime mjaft të ashpra dhe akuza për pasurinë e tij. Keni thënë ku i ka gjetur tre apartamente. Ja si është përgjigjur ai në një intervistë televizive.
(Shfaqet përgjigja e Dumanit).
Pra ai i thotë i kam deklaruar apartamentet . Pse ju thoni se janë të dyshimta, a keni ju prova se janë të dyshimta ose nga aktivitet i paligjshëm?
Berisha: Cilido që ndjek përgjigjen e tij, ngjet me përgjigjen e brigadierit më të humbur në një kooperativë bujqësore që ka kryer një faj dhe i kërkoj unë llogari. Një nivel mizerabël. Tani prit, ju jeni gazetarë, analistë, nëse gjeni një shqiptar të vetëm, përveç Altin Dumanit, me tre apartamente me rrogë shteti dhe jo burime të tjera, atëherë ju jap të drejtë.
Por, ju garantoj ju, se ajo nuk ndodh dot kurrë, sepse në këtë vend, me rrogë shteti, duhet të marrësh një kredi që ta paguash të paktën 25-30 vite, për të blerë një apartament. Që të pranoj gënjeshtrat e trasha të Dumanit, kurrën e kurrës. Së dyti, e dëgjuat cfarë tha. I kontrolluar tha nga Pamela Balluku, harroi të thoshte edhe Yuri Kim dhe Sanxhaktari, zonja Sanxhaktari.
Ky është kontrolli që i është bërë atij. Ka një fakt tjetër, që shqiptarët, nga Konispoli gjer në Valbonë, të dalë të thotë se kam blerë tre apartamente me rrogë të shtetit, përveç Dumanit, që i ngelte në fyt fjala apartament, nuk ka. Prandaj edhe ky është vettingu i tij.
Rakipi: A keni prova?
Berisha: Ai pranoi se ka tre apartamente. Gjeni me qiri një shqiptar, që unë rrogëtar i shtetit shqiptar nga viti 92′ deri sot arrita të ble tre apartamenta.
Rakipi: Pyetja ime është më e thjeshtë se kaq. A keni prova që vijnë nga korrupsioni apo aktivitet i paligjshëm?
Berisha: Sigurisht që ka prova, prova absolute. Janë tre apartamente të deklaruara. Mos bëni mbrojtjen.
Rakipi: Nuk bëj mbrojtje, unë nuk e kam takuar kurrë këtë njeri në jetën time.
Berisha: Të marrësh rrogën e tij, nuk bëjnë as koston e një apartamenti.
Mërtiri: Thotë e kam me kredi njërin.
Berisha: Ai çfarë bën? Hap llafe poshtë e përpjetë se ma ka dhuruar Kisha. Po kur ia treguan problemin e dhuratave u tërhoq dhe tha nuk më ka dhuruar kush kurrë. Zotëri na thuaj pak si blihen me rrogë apartamentet?
Mërtiri: Thotë se e ka marrë me kredi zero.
Berisha: Me auditet e Pamelës dhe Sanxhaktarit.
Mërtiri: Thotë se e ka marrë me zero përqind interes kredinë në kohën tuaj.
Berisha: Lexoje pak sa është. Ndaj edhe të pranoj se mund t’u hedhë qytetarëve trutë e gomarit për të mbuluar pasuritë e fshehura të tij, të harrojë se mund ta bëjë. Do të përballet me ligjin.
Mërtiri: Nuk gjykojmë dot xhepin e tjetrit, por me tre apartamente nuk më duket gjë, sepse shkokët e vet janë bërë super të pasur, prokuroria ka qenë ndër më të korruptuarat.
***
Rakipi: Unë ju kërkova prova për apartamentet që thoni për Dumanin. Këtu përshembull, unë kam patur të ftuar vajzën tuaj, vijnë njerëz dhe bëjnë akuza për shtëpi jashtë shtetit. Unë pa prova nuk i pranoj. Unë për Dumanin të kërkova prova.
A kemi prova që i ka marrë në mënyrë të paligjshme? Kur unë ju pyes si gazetar, doktor dua të jem 1000% me ty nëse më jep një provë për tre apartamentet e tij dhe ta themi se është i korruptuar.
Berisha: More zotëri! Së pari, tre apartamentet kanë dalë në vitin 2016. Po njeri në botë të më bindë mua, se me rrogë 140 mijë lekë, mund të blesh tre apartamente në Shqipëri nuk ka, sepse nuk ndodh kurrë.
Mërtiri: Thotë se i ka me kredi.
Berisha: Kam blerë vetë unë një apartament 60 metër katrorë më të madh se atë që kisha në diktaturë, dhe t’ju them ju të vërtetën, nëse nuk do të kisha marrë një sasi lekësh që më kishin mbajtur në Presidencë pasi ika, unë zotëri nuk e blija dot atë apartament pa marrë kredi. Pra mos të bëjmë kështu. Ju më thoni mua ku është gjurma, unë ju them ja ujku.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TEMA