Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas lirimit të Sali Berishës nga arresti shtëpiak, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës së Posaçme si një hap të drejtë ligjor dhe në përputhje me logjikën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese disa ditë më parë.
Bardhi tha çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik.
Reagimi i Bardhit:
Revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.
Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë!