Kryeministri Rama tha sot në tryezën e IX të Komisionit të Posaçëm Parlamentar Antikorrupsionin, se ky i fundit do jetë një instrument i pazëvendësueshëm dhe patjetërsueshëm për suksesin e qeverisë për sa i përket anëtarësimi në BE.
“Nuk jam këtu për të dhënë mend, sepse qëllimi kryesor i këtij komisioni është që parlamenti të bëhet epiqendra e një ndërveprimi intensiv që fillon me këtë fazë të këtij procesi dhe që në këndvështrimin tim duhet të vijojë deri në momentin që Shqipëria do anëtarësohet në BE. Mënyra se si komisioni do transformohet në mekanizëm permanent brenda parlamentit dhe në një pikë referimi për të gjitha institucionet do të përcaktohet shpresoj nga vetë ky proces kur do dalin konkluzione dhe detyra për të gjitha institucionet dhe të treja pushtetet. Në këndvështrimin tim ky komision është sot një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë në procesin e anëtarësimit. Në BE ne nuk shkojmë si qeveria e Shqipërisë që përfaqëson të gjithë, por si fron institucionesh që përfaqësojnë 3 pushtetet.” – tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se Inteligjenca Artificiale do jetë një ndihmë e madhe në procesin e anëtarësimit.
Kryeministri Rama nënvizoi se pavarësisht se ka ende shumë rrugë për t’u bërë dhe se të gjitha institucionet do duhet të japin maksimumin.
“Duke folur për pronën është e qartë që nëse kthejmë kokën mbrapa, ne kuptojmë se ajo që është bërë është shumë e rëndësishme në raport me pikënisjen, por i pamjaftueshëm në raport me pikëmbërritjen. Për sa kohë kjo e fundit është arritja në BE për ne, është themelore të kuptohet që faktikisht volumi i punës për t’u bërë është jo vetëm shumë më i madh se volumi i punës së bërë. Kemi mundësinë të marrim dijen e BE dhe të hedhim këto hapa dhe kemi bekimin që jemi në mes të Evropës dhe kemi BE-në. Nëse s’do kishim procesin e integrimit dhe BE-në ne do duhet ta harronim sic e harruan afganët apo vende të tjera që do vinte një ditë që do bëheshim një vend me këto standarte. Para se të vija këtu pashë një produkt të AI për transferimin e ligjeve të BE këtu në Shqipëri. Është e jashtëzakonshme të mendosh se Kroacia për të hyrë në BE vetëm për procesin e kalimit të legjislacionit nga pikëpamja mekanike mori 7 vite. Për të bërë këtë ka angazhuar një numër të jashtëzakonshëm përkthyesish, redaktorësh, etj. Nga produkti përmes inovacionit ne kemi transferimin e ligjeve nga anglishtja në shqip me cilësi dhe shpejtësi të jashtëzakonshme. Të gjitha llojet e vrimave që duhet të mbylleshin në këtë aspekt mund të mbyllen përmes teknologjisë.” – shtoi Rama.