Gjykata e Posaçme ka liruar kreun e PD-së Berisha nga arresti në shtëpi, ku ndodhej që prej 30 dhjetorit 2023.
Pas 331 ditësh i ngujuar në banesën e tij, kryedemokrati mund të dalë sot nga banesa dhe siç ka njoftuar do shkojë në selinë blu.
Ai u arrestua nga SPAK bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi pasi po hetohet për privatizimi e ish-klubit Partizani. Pas vajtjes në selinë blu në orën 13 e 30, kreu i PD-së pritet të japë një konferencë për shtyp.
Arrestimi
Masa e arrestit në shtëpi ndaj Sali Berishës erdhi rreth dy muaj pasi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u prangos mbrëmjen e 23 tetorit 2023 në aeroportin e Rinasit, ku sapo ishte kthyer nga Gjermania. Dyshja akuzohen nga SPAK se kanë shkelur ligjin në privatizimin e ish-klubit Partizani, një denoncim i bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm asokohe Taulant Balla.
Sipas SPAK-ut, Berisha si kryeministër ka përdorur postin për të favorizuar dhëndrin e tij në kthimin e terreneve sportive në terren ndërtimi e më pas në privatizimin e ish-klubit Partizani dhe terreneve me çmim preferencial. Si Berisha ashtu edhe Malltezi kanë akuzuar SPAK-un dhe gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka se kanë vepruar me urdhër të Edi Ramës.
Reagimi i SPAK
Prokuroria Soeciale ka deklaruar se do e apelojë vendmin e sotëm të GJykatës së Posaçme nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
Reagimet
Avokati Genc Gjokutaj
“Unë nuk mund të relatoj dosjen. Gjykata konstatoi që për të nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për asnjë masë sigurie. Jemi në kërkimin paraprak. Prokuroria kërkoi të mbetej në arrest shtëpie. Kjo ishte kërkesa jonë që ditën përpara seancës paraprake. Këto kërkese shqyrtohen brenda 5 ditëve. Kjo kërkesë është bërë këtu. Mbas vendimit të kushtetueses. Ligji nuk zbatohet në analogji. Ne nuk i besojmë gjykateve, ua kam thënë kemi 1 vite e ca luftë me Irena Gjoka. Nuk e di duhet të kuptoni, nuk mund të hyj ndërgjegjes së brendshme procesi është politik nuk ekziston arsye ligjore. SPAK le të bëjë çtë dojë. Duhet të ulë kokën dhe të shoh çfarë ka bërë, të kthehet në retrospektivë i ka hipur një kali së prapthi. Që nga sot. absolutisht i ekzekutueshëm. Mos u mërzisni pse u lirua Berisha.”
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi
“Revokimi nga GJKKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës. Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë!”
Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka
“Demokratët dhe Sali Berisha si lider i demokratëve e kanë paguar më shumë se kushdo tjetër çmimin e lirisë. Kjo ditë tregon se kush qëndron dhe lufton për të drejtat dhe të vërtetën, do triumfojë dhe fitojë. Falë qëndresës së demokratëve, Berisha është i lirë. Lufta dhe presioni i opozitës e detyruan narkodrejtësinë që të japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimit të liderit të saj,” shkruan Noka.
Drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi
“Farsa ra! Më në fund lirohet Kryetari i PD dhe Lideri i Opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha”
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi
“Lajmi për rrëzimin e masës së arrestit ndaj Kryetarit të PD është fantastik! Zoti dhe e drejta e tij dhe e jona po triumfon. PD tani kalon në një stad të ri! Me Sali Berishën në liri është e pamundur të ndalet entuziazmi dhe bindja në fitore. Ndryshimi filloi të vijë…!”
Anëtari i kryesisë, Klevis Balliu
“Ditë e zezë për narkoshtetin. Ditë e bardhë për Shqipërinë.”
Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj.
“Fitorja e Tramp arrin dhe në Shqipëri! Lirohet lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha! Era e ndryshimit po vjen në vendin tonë!”
Drejtuesja politike për diasporën, Jozefina Topalli
“Sot, pas 350 ditësh padrejtësie, gjykata liroi kryetarin e opozitës, Sali Berisha. Për 350 ditë, nga dritarja e qelisë, ai nuk reshti së foluri dhe së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të zhytur në korrupsion dhe skandale. Arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë. Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë. Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri. Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë.”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
“Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës! Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizimin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strazburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme. Desorosifikimi drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare.”