Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, ka komentuar lirimin e kreut të PD-së Berisha nga arresti në shtëpi.
Ajo shkruan se pavarësisht një viti padrejtësie, ai nuk reshti se foluri e frymëzuari qytetarët kundër qeverisë së zhytur në korrupsion e skandale.
Topalli shton më tej se arrestimi i Berishës ishte politik e në shkelje të Kushtetutës dhe se ai u mbajt peng nga qeveria e korruptuar e Ramës që ka frikë nga opozita e vërtetë.
“Sot, pas 350 ditësh padrejtësie, gjykata liroi kryetarin e opozitës, Sali Berisha. Për 350 ditë, nga dritarja e qelisë, ai nuk reshti së foluri dhe së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të zhytur në korrupsion dhe skandale. Arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë. Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë. Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri. Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë”, shkruan Topalli.