Të gjitha familjet që kanë një kontratë me OSHEE për energjinë, me FSHU-në për ujin, nuk janë debitor pra i kanë të paguara faturat si dhe e kanë shtëpinë të legalizuar, do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit për të instaluar sisteme të ngrohjes dhe të ftohjes në banesat e tyre.
Në vendimin e fundit të miratuar nga qeveria thuhet se-“Mbështetja në investim do të mbulojë në çdo rast vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie, për realizimin e ngrohjes dhe ftohjes”.
Referuar vendimit do të jenë katër skema që do të financohen nga shteti. Nëse familjet do të aplikojnë për të instaluar sisteme diellore të ngrohjes së ujit do të marrin financim në masën 70% e vlerës së investimit, ose 140 mijë lekë, ndërsa për kaldajat me biomasë ose biokarburant, financimi do të jetë 20% e vlerës së investimit ose deri në 250 mijë lekë.
Ata që do të instalojnë pompat e nxehtësisë me ajër, ujë apo gjeotermale, do të marrin financim 20% të vlerës ose deri në 600 mijë lekë, dhe skema e fundit ajo për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa shteti mbulon 30% të vlerës së investimit ose deri 3 milionë lekë.
Në vendim janë të listuara edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë familjet që do të aplikojnë për këto masa mbështetëse:
- a) Letërnjoftimi (karta e identitetit);
- b) Certifikata familjare;
- c) Certifikatë pronësie;
ç) Faturat e OSHEE/ FSHU-së ose vërtetim faturash për të paktën 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit;
- d) Vërtetim të ardhurash për çdo pjesëtar të familjes;
- dh) Vërtetim që abonenti nuk rezulton debitor ndaj OSHEE/ FSHU-së;
- e) Për konsumatorët në nevojë, një vërtetim nga ministria përgjegjëse për punët sociale që abonenti bën pjesë në këtë kategori;
ë) Projekti dhe relacioni i realizuar nga një inxhinier i licencuar të paktën sipas kategorisë 4.b të vendimit nr.759/2014 të Këshillit të Ministrave, “Për licencimin profesional të individëve dhe personave juridikë që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, të ndryshuar”, shoqëruar me deklaratën e përgjegjësisë profesionale dhe licencën përkatëse. Ky dokument mund të përjashtohet vetëm për impiantet diellore për ngrohjen e ujit;
- f) Sipas rastit, leje për realizimin e punimeve referuar parashikimeve të vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar;
Në vendim sqarohet se do të jetë Agjencia për Eficiencën e Energjisë do të hapë thirrjet për operatorët ekonomik që do të ofrojnë këto pajisje që do të instalojnë qytetarët, dhe më pas konsumatorët familjar që do të shpallen fitues të këtyre skemave do të përzgjedhin një nga subjektet e regjistruara pranë Agjencisë.