Drejtuesit amerikanë të naftës dhe investitorët e bonove po i kërkojnë presidentit të zgjedhur Donald Trump që të braktisë politikën e tij të presionit të fortë gjatë mandatit të parë përkundrejt presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro dhe në vend të kësaj të arrijë një marrëveshje: më shumë naftë për më pak emigrantë.
Përpjekja e heshtur e lobimit vjen ndërsa Maduro forcon kontrollin e tij autoritar në vend me kërcënime për të arrestuar më shumë aktivistë të opozitës të cilët kundërshtojnë ende rezultatet e zgjedhjeve të korrikut, ku Maduro pretendoi fitoren.
Disa biznesmenë si Harry Sargeant III, një donator miliarder i republikanëve, i cili luajti golf në klubin Mar-a-Lago me Trump dhe të nesërmen u nisi për në Karakas, po përpiqen t’i tregojnë administratës së ardhshme se cilat mund të jenë përfitimet e negocimit me Maduron në vend të përpjekjeve për largimi e tij.
Javën e kaluar, një ngarkesë asfalti venezuelian me burim nga “Global Oil Terminals”, pjesë e një konglomerati në Florida të themeluar nga Sargeant, zbarkoi në Portin e Palm Beach, vetëm disa milje nga rezidenca e Trump në Florida. Ishte dorëzimi i parë i asfaltit nga Venezuela në port që kur administrata e parë e Trump vendosi sanksione ndaj naftës venezueliane në fillim të 2019-ës.
Dërgesa, e mundësuar nga një licencë që Departamenti i Thesarit nën presidentin Biden u dha disa kompanive të naftës për të rifilluar operacionet në Venezuelën e pasur me naftë, nxjerr në pah qëndrimin e përkrahësve të ndryshimit të politikave. Ata thonë se arritja e një marrëveshjeje me Maduron do frenonte emigracionin dhe do ndihmonte në zbutjen e çmimeve të energjisë në SHBA.
Një marrëveshje do ndihmonte gjithashtu në kontrollin e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia. Këto vende fituan terren në Venezuelë pas sanksioneve ekonomike të SHBA-së, të cilat i ndaluan kompanitë amerikane të nxirrnin e shisnin naftën e papërpunuar venezueliane.
Synimi i ndryshimit të qeverisë në Venezuelë, një gur themeli i strategjisë së Uashingtonit në vitet e fundit, do ishte më pak prioritet tani për tani, thanë njerëzit që po nxisin atë që ata e quajnë një qasje më pragmatike.
“Është e padiskutueshme që rinisja e furnizimit me asfalt venezuelian me cilësi të lartë dhe me kosto të ulët në SHBA ka qenë një përfitim për taksapaguesit amerikanë,” tha Harry Sargeant IV, presidenti i “Global Oil Terminals” dhe djali i themeluesit të kompanisë, lidhur me ngarkesën prej 43,000 fuçish me asfalt të lëngshëm, i mjaftueshëm për të shtruar rreth 90 kilometra rrugë.
“Ka qenë një ndihmë për konkurrentët tanë strategjikë sepse nën sanksionet amerikane ndaj Venezuelës, këto fuçi iu shitën ekonomisë kineze duke e subvencionuar atë,” shtoi ai.
Vetë Maduro ka bërë një kthesë të lehtë me Uashingtonin.
“Në qeverinë e tij të parë, gjërat nuk shkuan mirë për ne me presidentin e zgjedhur Donald Trump,” tha ai në një fjalim të fundit televiziv.
“Ky është një fillim i ri, kështu që le të vëmë bast për një marrëdhënie të favorshme.”
Disa biznesmenë amerikanë që udhëtuan në Karakas në fillim të këtij viti dhe u takuan me Maduron dhe rrethin e tij të ngushtë, thonë se venezuelianët ishin të bindur se Trump do i fitonte zgjedhjet në SHBA dhe do sillej me Maduro-n njësoj si me krerët e Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Venezuelianët besojnë se duke lehtësuar furnizimin me naftë në SHBA dhe duke pranuar fluturimet e dëbimit nga SHBA-ja për emigrantët, që ishin pezulluar pas dështimit të negociatave me administratën Biden, Maduro mund të ndihmojë në përmbushjen e objektivave kryesore të politikës së Trump për deportimin e emigrantëve venezuelianë, sipas njerëzve të njohur me politikat e qeverisë së Venezuelës.
Karoline Leavitt, zëdhënëse e ekipit të tranzicionit të Trump tha: “Populli amerikan e rizgjodhi presidentin Trump sepse i besojnë atij që të udhëheqë vendin tonë dhe të rivendosë paqen përmes fuqisë në mbarë botën. Kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ai do ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta bërë këtë.”
Venezuela paraqet një nga sfidat më të mprehta të politikës rajonale për qeverinë e ardhshme të SHBA. Sipas Uashingtonit, keqmenaxhimi ekonomik, korrupsioni dhe abuzimet e të drejtave të njeriut nën Maduron shkaktuan eksodin e gati tetë milionë emigrantëve, rreth 700,000 prej të cilëve tani janë në SHBA.
Disa ekonomistë dhe ish-diplomatë thonë se sanksionet ekonomike që synonin të mbytnin financiarisht regjimin, jo vetëm që nuk arritën të rrëzonin Maduron, por ndihmuan në përkeqësimin e rrjedhës së emigrantëve duke shkatërruar më tej një ekonomi që varet kryesisht nga eksportet e naftës.
“Sfida është se si të shkëputet SHBA-ja nga një qasje politike që dështoi plotësisht të sjellë ndryshime politike në vend, varfëroi më shumë njerëz dhe përshpejtoi emigrimin e miliona venezuelianëve,” tha Thomas Shannon, një ish-diplomat amerikan i rangut të lartë në Amerikën Latine.
Sondazhet tregojnë se shumë venezuelianë të tjerë do largohen nëse Maduro qëndron në pushtet. Presidenti do betohet për një mandat të tretë gjashtëvjeçar, vetëm 10 ditë përpara se Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ditët e fundit, qeveria e Venezuelës ka shtuar kërcënimet për të arrestuar María Corina Machado, udhëheqësen kryesore të opozitës në vend. Machado u fsheh pasi ajo udhëhoqi një përpjekje për të mbledhur dhe publikuar manualisht fletët e votimit që qeveria i mbante të fshehta dhe tregoi se Maduro humbi votimin e korrikut me një diferencë 2 me 1.
Të mërkurën, administrata Biden shtoi 21 zyrtarë venezuelianë të sigurisë dhe të qeverisë në listën e zezë financiare të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për nxitjen e mashtrimit dhe represionit zgjedhor. Gjithsej 180 persona në rrethin e brendshëm të Maduros janë sanksionuar nga Uashingtoni.
Kandidati rival i Maduros, Edmundo González, të cilin SHBA-të e njohën si fituesin e ligjshëm të zgjedhjeve, u largua në Spanjë pasi u përball me kërcënimet e paraburgimit. González thotë se ka në plan të kthehet së shpejti për të kërkuar postin si president, edhe pse Maduro vijon të mbajë të gjitha levat e pushtetit, nga gjykatat te ushtria.
Opozita po bën thirrje për demonstrate të mëdha më 1 dhjetor, pasi i kërkon administratës Trump të vijojë të mbajë linjën e saj të ashpër kundër Maduros.
Në vitet e fundit, administrata Biden lehtësoi sanksionet ekonomike në një përpjekje të dështuar për të nxitur Maduron që të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ana Rosa Quintana, një ish-këshilltare republikane e Kongresit për çështjet e Hemisferës Perëndimore, tha se Trump do t’i japë përparësi frenimit të rrjedhës së emigrantëve dhe drogës nga Venezuela, si dhe lirimin e të burgosurve amerikanë të mbajtur në vend, ndërsa lufton ndikimin e Kinës dhe Iranit në rajon.
Por një qasje më e butë ndaj Maduros, tha ajo, dukej e pamundur.
“Nuk do të jetë e lehtë për të, kjo është e sigurt,” tha ajo.
“Unë nuk do të shqetësohesha që administrata Trump të bjerë në atë lloj kurthi.”
Një numër i madh investitorësh të naftës dhe zotëruesve të obligacioneve perëndimorë që qëndrojnë mbi miliarda dollarë të borxhit të falimentuar të Venezuelës, udhëtuan në Karakas në fillim të këtij viti për të vlerësuar perspektivat e biznesit në rast të një përparimi dypalësh.
I etur për të rigjallëruar industrinë e naftës dikur të lulëzuar të Venezuelës, Maduro ofroi mundësinë e marrëveshjeve të dashura për investitorët që mund të ndihmonin të bindin SHBA-në për t’i dhënë fund sanksioneve, raportoi më parë The Wall Street Journal. Disa u gostitën me ushqimet më të mira në klubin ekskluziv të kryeqytetit të Venezuelës dhe thanë se ishin të impresionuar nga një qytet pa krime dhe rrugë të shtruara mirë.
Në gjurmët e fushatës, Trump shpesh aludonte për Karakasin, dikur një pikë e nxehtë krimesh të dhunshme, si të sigurt dhe madje kishte bërë shaka se do shkonte atje nëse do humbiste zgjedhjet në SHBA. Këto komente kishin nxitur spekulime midis disa investitorëve se Trump do ishte i hapur ndaj një ndryshimui të qasjes për Venezuelën.
Por shpresat për një ndryshim politikash morën goditje kur Trump emëroi Senatorin e Floridës Marco Rubio si Sekretarin e tij të Shtetit. Rubio ka mbështetur prej kohësh presionin e ashpër ndërkombëtar kundër Maduros dhe regjimeve të tjera autoritare në kontinentin amerikan.
Armiqtë e tjerë të zjarrtë të Maduros kanë ndikim në ekipin e tranzicionit të Trump, duke përfshirë ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mauricio Claver-Carone, si dhe Elon Musk, i cili kishte mbështetur opozitën dhe e kishte sfiduar Maduron në disa replika mes zgjedhjeve të diskutueshme në Venezuelë.
Disa republikanë të shquar si ish-kontraktori i mbrojtjes Erik Prince e kanë shtyrë qeverinë amerikane të rrisë shpërblimin prej 15 milionë dollarësh që ka për rrëzimin e Maduros duke e akuzuar atë për narkoterrorizëm. Maduro ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së si pjesë e fushatës së shpifjeve për të destabilizuar qeverinë e tij.
Në fillim të këtij muaji, Kongresi amerikan miratoi një projektligj dypartiak që ndalon Uashingtonin të kontraktojë këdo që ka marrëdhënie biznesi me Maduron ose ndonjë qeveri pasardhëse të Venezuelës që nuk konsiderohet legjitime nga SHBA-ja.
Tani për tani, emërimet hedhin dyshime mbi të ardhmen e licencave speciale që administrata Biden u dha disa kompanive të naftës për të rifilluar operacionet në Venezuelë, duke përfshirë Chevron dhe Global Oil.
Njerëz të njohur me këtë çështje thonë se ka më shumë se 150 kërkesa të tjera për licenca që do trajtohen nga Trump sapo ai të marrë detyrën.
David Smolansky, një ish-ligjvënës venezuelian që lobon për presion kundër Maduros nga mërgimi në Uashington, paralajmëroi se miqësia me Maduron nuk do ndihmonte në lehtësimin e rrjedhës së emigracionit.
“Në rastin e Venezuelës, kemi të bëjmë me një diktaturë brutale,” tha ai.
“Nuk ka rëndësi nëse prodhohet më shumë naftë. Njerëzit do ikin për shkak të Maduros.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani