Një anije tregtare kineze po hetohet lidhur me incidentin e para pak kohëve ku u prenë kabllot që kalonin në Baltik. Anija është bllokuar nga luftanijet evropiane në ujërat ndërkombëtare dhe po hetohet për sabotim të qëllimshëm që mund të rrisë edhe më shumë tensionet mes Pekinit dhe Brukselit.
Hetuesit dyshojnë se ekuipazhi i anijes “Yi Peng 3”, 225 metra i gjatë dhe 32 metra e gjerë, e ngarkuar me pleh rus, preu dy kabllo të rëndësishëm javën e kaluar, duke tërhequr qëllimisht spirancën ndërsa lundronte përgjatë shtratit të detit Baltik për mbi 200 kilmetra.
Hetimi po përqendrohet në nëse kapiteni i anijes në pronësi kineze, që u nis nga porti rus Baltik i Ust-Luga më 15 nëntor, ishte nxitur nga inteligjenca ruse për të kryer sabotimin. Ky do të ishte i fundit në një seri sulmesh ndaj infrastrukturës jetike të Evropës që zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës thanë se janë orkestruar nga Rusia.
“Është jashtëzakonisht e pamundur që kapiteni të mos e kishte vënë re që anija e tij po tërhiqte spirancën, duke humbur shpejtësinë për orë të tëra dhe duke prerë kabllot gjatë rrugës,” tha një hetues i lartë evropian i përfshirë në çështjen në fjalë.
Pronari kinez i anijes, Ningbo Yipeng Shipping, po bashkëpunon me hetimin dhe ka lejuar që anija të ndalet në ujërat ndërkombëtare, sipas njerëzve të njohur me hetimin. Kompania nuk pranoi të komentojë.
Dëmtimi i kabllove nënujore ndodhi në ujërat suedeze më 17-18 nëntor, duke nxitur autoritetet e Stokholmit të hapin një hetim sabotimi. Rusia ka mohuar të ketë dorë.
Hetuesit kanë vërtetuar se anija e lëshoi spirancën që mund të ketë mbetur e lëshuar në ujërat suedeze deri më 17 nëntor. Spiranca zvarritëse preu kabllon e parë midis Suedisë dhe Lituanisë menjëherë pas kësaj, sipas dy personave të njohur me hetimin. Kompania që operon kabllon në Lituani tha se ndërprerja ndodhi rreth orës 10 të mëngjesit me orën lokale.
Gjatë asaj kohe, transponderi i anijes, që përshkruan lëvizjet e saj në të ashtuquajturin Sistemi i Identifikimit Automatik, u mbyll në atë që njihet si një “incident i errët” në zhargonin e trafikut detar. Anija më pas vijoi rrugën edhe pse spiranca zvarritëse e uli shumë shpejtësinë e saj, sipas satelitit dhe të dhënave të tjera të shqyrtuara nga hetuesit.
Hetuesit thonë se rreth orës 3 të mëngjesit të ditës tjetër, pasi kishte udhëtuar rreth 180 kilometra, Yi Peng 3 preu kabllon e dytë midis Gjermanisë dhe Finlandës. Menjëherë pas kësaj, anija filloi të bëjë zigzage, ngriti spirancën dhe vijoi lundrimin. Anijet e marinës daneze u nisën më pas për të ndjekur dhe përgjuar Yi Peng 3, duke e detyruar në fund të ankorohej në ngushticën Kattegat, që lidh detin Baltik dhe atë të Veriut.
Një rishikim i spirancës dhe bykës së anijes tregoi dëmtime në përputhje me tërheqjen zvarrë të spirancës dhe prerjen e kabllove, thanë njerëz të njohur me hetimin.
“Duke pasur parasysh kushtet e buta të motit dhe lartësitë e valëve të menaxhueshme, gjasat e zvarritjes aksidentale të spirancës duken të pakta”, sipas një analize të përgatitur për The Wall Street Journal nga Kpler, një kompani analitike që ofron të dhëna në kohë të saktë për transportin ndërkombëtar.
Ndërsa incidente të tilla janë trajtuar në mënyrë konfidenciale në të kaluarën, dëmtimi i kabllove të internetit javën e kaluar nxiti shpejt ndërhyrjet publike nga udhëheqësit më të lartë evropianë.
Ekuipazhi i Yi Peng 3, që drejtohet nga një shtetas kinez dhe përfshin një marinar rus, nuk është marrë në pyetje deri tani, sipas njerëzve të njohur me hetimin, por një anëtar i një anijeje daneze hipi për pak kohë në anije përpara se ajo të ankorohej në ngushticën Kattegat.
Disa zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës perëndimore thanë se ata nuk mendonin se qeveria kineze ishte e përfshirë në incident, por ata dyshonin se agjencitë ruse të inteligjencës fshiheshin pas sabotazhit.
“Këto janë akuza absurde, të paargumentuara”, tha zyra e shtypit e Kremlinit për Journal.
“Të njëjtët zyrtarë perëndimorë që drejtojnë gishtin drejt Rusisë heshtën kur Ukraina hodhi në erë tubacionet e gazit Nord Stream:, tha zyra e shtypit në lidhje me sabotimin e vitit 2022 të tubacionit të gazit rus në Evropë.
“Unë do doja të ritheksoja mbështetjen e vijueshme të Kinës duke punuar me të gjitha vendet për të ruajtur sigurinë e kabllove ndërkombëtare dhe infrastrukturës tjetër në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.
Anija kineze tani ruhet nga një flotilje e vogël anijesh të NATO-s që i përkasin Danimarkës, Gjermanisë dhe Suedisë.
Më parë asnjanëse, Suedia është një nga anëtarët më të rinj të NATO-s, pasi iu bashkua aleancës ushtarake pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Sipas ligjit ndërkombëtar detar, anijet e NATO-s nuk mund ta detyrojnë “Yi Peng 3” të lundrojë në një nga portet e tyre. Autoritetet suedeze dhe gjermane po negociojnë me pronarin e anijes për të hyrë në anije dhe për të marrë në pyetje ekuipazhin.
Policia gjermane dërgoi gjithashtu Bamberg, një anije patrullimi, për të hetuar një nga incidentet me dronët nënujorë. Anijet suedeze dhe daneze kanë ekzaminuar gjithashtu vendet në shtratin e detit.
Autoritetet evropiane duhet të veprojnë me kujdes për shkak të angazhimit të tyre ndaj lirisë së lundrimit dhe respektimit të ligjit ndërkombëtar që mbështet tregtinë globale, sipas disa politikanëve evropianë, si dhe zyrtarëve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit të njohur me hetimin.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, Kremlini është akuzuar nga zyrtarët perëndimorë për një luftë hibride në territorin e NATO-s në Evropë për të destabilizuar Perëndimin, duke përfshirë orkestrimin e sulmeve ndaj tubacioneve nënujore dhe kabllove të të dhënave në Balltik dhe Arktik.
Në tetor të vitit të kaluar, një anije e regjistruar në Kinë e quajtur “Newnew Polar Bear” preu tubacionin e gazit “Balticconnector” dhe një kabllo telekomunikacioni që lidh Finlandën dhe Estoninë me spirancën e saj, sipas njerëzve të njohur me hetimin e rastit. Disa zyrtarë të informuar mbi hetimin thanë se marinarët rusë ishin në bordin e anijes kineze në kohën e incidentit.
“Newnew Polar Bear” u lejua të vijonte drejt Arktikut të Rusisë sepse autoritetet në Suedi, Danimarkë dhe Norvegji nuk donin ta ndalonin anijen pa mbështetje të shëndoshë ligjore, sipas zyrtarëve.
Por në rastin e “Yi Peng 3”, marina daneze vendosi të ndërhyjë shpejt për të ndaluar anijen pasi kablloja e dytë u dëmtua, thanë njerëz të njohur me hetimin.
“Yi Peng 3” kishte operuar vetëm në ujërat kineze nga dhjetori 2019 deri në fillim të marsit 2024, kur papritmas ndryshoi modelin e funksionimit, tha Benjamin L. Schmitt, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Kleinman për Politikat e Energjisë të Universitetit të Pensilvanisë.
Anija kineze më pas filloi të transportonte qymyr rus dhe ngarkesa të tjera, duke bërë transport në portet ruse si Nakhodka në Detin e Japonisë, disa udhëtime në Portin e Murmanskut në Detin Barents dhe një udhëtim në Detin Baltik. Tani anija është e ngarkuar me plehra kimike ruse, sipas të dhënave të Kpler.
“Edhe pse vetëm kjo nuk mjafton për të siguruar prova të përfshirjes ruse, ndryshimi thelbësor në rajonin operativ të anijes në portet ruse, pas vitesh operimi vetëm në ujërat kineze duhet të jetë një fushë kyçe e hetimit për autoritetet evropiane,” tha Schmitt.
Kablloja që lidh Suedinë dhe Lituaninë u riparua më 28 nëntor, tha një zëdhënës i Arelion, kompania që e operon atë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani