Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania dhe vendet nordike përgatisin qytetarët për luftë të mundshme


 

Gjermania po zhvillon një aplikacion për të ndihmuar njerëzit të gjejnë bunkerët më të afërt në rast sulmi. Suedia po shpërndan një broshurë 32-faqëshe të titulluar “Nëse kriza ose lufta vjen”. Ndërkohë, gjysmë milioni finlandezë kanë shkarkuar një udhëzues përgatitjeje për emergjenca. 

Pavarësisht se për shumë njerëz një konflikt i gjerë në Evropë mund të duket i largët, disa vende po e marrin seriozisht këtë kërcënim.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, përdori termin “kriegstüchtig” – që do të thotë “i aftë për luftë” – duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së qytetarëve. 

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia ka rritur ndjeshëm tensionet e sigurisë në rajonin e Balltikut, duke shtyrë Finlandën dhe Suedinë të braktisin dekada të tëra të mosangazhimit dhe t’i bashkohen NATO-s.

Por, përgatitjet nuk përfshijnë vetëm aftësitë ushtarake; qytetarët duhet të jenë të gatshëm gjithashtu, shkruan The Guardian.

“Jetojmë në kohë të pasigurta. Konflikte të armatosura po ndodhin në rajonin tonë. Terrorizmi, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit po përdoren për të na destabilizuar dhe ndikuar tek ne,” shkruhet në hyrjen e broshurës suedeze. 

Përgatitje Suedeze për krizë

E disponueshme edhe në anglisht, broshura thekson se qëndrueshmëria kolektive është thelbësore.

Në rast se Suedia sulmohet, “të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për të mbrojtur pavarësinë dhe demokracinë e Suedisë… Ju jeni pjesë e përgatitjeve të përgjithshme emergjente të Suedisë.” 

Në këtë broshurë jepen këshilla për sistemet e paralajmërimit, strehat kundër bombardimeve, sigurinë digjitale dhe përdorimin e tualetit nëse nuk ka ujë.

Po ashtu, rekomandohet që çdo familje të ruajë ujë në shtëpi, të ketë batanije, rroba të ngrohta, një radio me bateri dhe ushqime të pasura me energji, që përgatiten shpejt. 

Reagimet ndaj kësaj nisme janë të ndryshme. Johnny Chamoun, një parukier 36-vjeçar në Solna, afër Stokholmit, tha se ishte “mirë të jesh i përgatitur,” por vuri në dukje se shumë njerëz nuk e kishin marrë seriozisht.

Në të kundërt, Muna Ayan, një punonjëse e kujdesit shëndetësor nga Somalia, tha se kjo temë ishte traumatike për ata që kishin përjetuar luftëra. 

“Jam e frikësuar sepse e di se çfarë do të thotë lufta – kam mbijetuar nga lufta,” tha Ayan, duke shtuar se kishte grumbulluar ujë, drita me bateri dhe qirinj.

Për ata që kanë përjetuar luftëra në vende si Somalia, Siria apo Iraku, këto diskutime janë shumë shqetësuese. 

Përgatitje në Norvegji dhe Finlandë 

Në Norvegji, një broshurë e ngjashme është shpërndarë në 2.6 milionë shtëpi.

 Këshillat përfshijnë mbajtjen e ushqimeve për të paktën një javë, përfshirë “buka e thatë, konserva, fruta të thata, çokollata dhe arra.”

Po ashtu, sugjerohet që çdo familje të ketë ilaçe të domosdoshme, përfshirë tabletat e jodit, dhe të mbajnë para në shtëpi për raste emergjente. 

Në Finlandë, një udhëzues online me titull “Përgatitja për incidente dhe kriza” ofron informacione mbi ndërprerjet e ujit, zjarret dhe krizat afatgjata, përfshirë konfliktet ushtarake.

Një faqe tjetër, 72tuntia.fi, pyet qytetarët: “A do të mbijetonit 72 orë?” duke i udhëzuar mbi aftësitë dhe furnizimet e nevojshme. 

“Lufta e Rusisë në Ukrainë ka qenë një thirrje zgjimi,” tha Suvi Aksela nga Shoqata Kombëtare e Përgatitjes Emergjente në Finlandë.

Ajo theksoi se interesimi për kurset e përgatitjes dhe produktet si radio me bateri ishte rritur ndjeshëm. 

 

Plani i Gjermanisë për bunkerë 

Gjermania, ndërkohë, po përqendrohet në rritjen e numrit të bunkerëve dhe strehave mbrojtëse. Me më pak se 600 streha publike që mund të mbajnë vetëm 480,000 njerëz, Berlini ka nisur një plan kombëtar për bunkerë, përfshirë një aplikacion për gjetjen e tyre. 

Në një dokument 1,000-faqësh, Gjermania u ka dhënë bizneseve këshilla për të trajnuar shoferë shtesë dhe për të përgatitur individët për emergjenca civile. 

Këto masa tregojnë se shtetet nordike dhe Gjermania po marrin masa të fuqishme për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm, duke u përgatitur jo vetëm ushtarakisht, por edhe për qëndrueshmëri civile.