Përfaqësues të Partisë së Lirisë ishin sot të pranishëm në 80-vjetorin e çlirimit të vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat, uroi shqiptarët për Ditën e Çlirimit dhe ndau një informacion për një incident që ndodhi në fillim të ceremonisë, kur pati një përplasje me anëtarët e Gardës që kishin marrë urdhër për të penguar përfaqësuesit e PL të nderonin këtë datë historike.
Blushi e cilësoi këtë një tentativë të Ramës për të privatizuar një ngjarje të tillë, duke përmendur mundësinë e dhënies me koncesion të Varrezave të Dëshmorëve.
“Në nisje të ceremonisë patëm një përplasje me anëtarët e Gardës, që kishin marrë urdhër për të penguar përfaqësuesit e PL për të nderuar datën e shënuar, përpjekje kjo që tregon një tentativë të Ramës për të privatizuar edhe këtë datë historike e ndoshta për të dhënë me koncesion edhe Varrezat e Dëshmorëve. Megjithatë ne e kryem këtë ceremoni sepse askush nuk mund të na ndalojë të nderojmë gjakun e dëshmorëve”, u shpreh ai.