Vendosni fjalën kyçe....

Portofoli i kredisë për shtëpi vazhdon rritjen, kalon kufirin e dy miliardë eurove


Kredia për shtëpi vazhdon të rritet dhe ka kaluar për herë të parë vlerën totale të dy miliardë eurove.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për shtëpi në fund të muajit shtator arriti vlerën e 200.6 miliardë lekëve, në rritje me 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia për blerjen e banesave i është kthyer rritjes me ritme të shpejta që nga tremujori i katërt i vitit të kaluar, pas një ngadalësimi të përkohshëm gjatë pjesës së parë të vitit 2023. Rritja ka vijuar e qëndrueshme përgjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Gjithmonë sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, për nëntë muaj sektori bankar ka disbursuar kredi të reja për shtëpi në vlerën e 39.4 miliardë lekëve, në rritje me 12.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Normat relativisht të ulëta të interesit në lekë dhe momenti pozitiv i tregut të pasurive të paluajtshme kanë mbajtur të lartë interesin e familjeve shqiptare për të blerë prona.

Kredia e dhënë nga sektori bankar vazhdon të jetë një mbështetje thelbësore për kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas rezultateve të vrojtimit për tregun e pasurive të paluajtshme, të kryer nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit 53% e pronave u raportuan të blera me kredi.

Kredia bankare është një faktorët që po mbështet kërkesën dhe rritjen e mëtejshme të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas indeksit Fischer të llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimit i banesave në rang vendi shënoi rritje të ndjeshme me 16.9% në krahasim me gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe me 8% ndaj të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja ishte edhe më e lartë për Tiranën. Indeksi i çmimit për shitjet në kryeqytet regjistroi gjithashtu një rritje prej 23.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe 11% ndaj nivelit të një viti më parë.

Nga ana tjetër, rritja e shpejtë e kredisë në përgjithësi dhe e asaj për blerjen e pasurive të paluajtshme në veçanti duket se ka arritur pikën kur ajo vlerësohet se mund të përfaqësojë rrezik të shtuar për sektorin financiar.

Në segmentin e bizneseve, rritja e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme këtë vit është edhe më e lartë. Portofoli i kredisë për prona të bizneseve ka arritur në 185.4 miliardë lekë, në rritje me 46.2% krahasuar me një vit më parë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i sugjeroi Bankës së Shqipërisë që në fillim të këtij viti vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.

Banka e Shqipërisë reagoi ndaj këtyre shqetësimeve në mesin e vitit duke aplikuar për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë përqind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.

Në fillim të muajit tetor, Banka e Shqipërisë paralajmëroi sërish që, nëse kreditimi do të vazhdojë të zgjerohet me ritmet e muajve të fundit, ka shumë të ngjarë që shtesa kundërciklike e kapitalit të rritet sërish në fund të vitit 2024./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor