Reshjet e dëborës kanë rikthyer praninë e tyre në qarkun e Korçës që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, në lartësitë mbi 1300 metra. Sipas informacioneve, reshjet vazhdojnë ende.
Në Dardhë dhe Voskopojë, trashësia e dëborës ka arritur deri në 5-10 cm. Kontraktorët janë në terren për të pastruar dhe kriposur rrugët, duke monitoruar çdo situatë të mundshme që mund të krijohet nga moti.
Pavarësisht se nuk ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve, drejtuesit e automjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Mëngjesi i kësaj fundjave ka sjellë dëborë edhe në fshatrat malorë të Qarkut të Elbasanit. Dëbora ka mbuluar zonat në lartësitë mbi 900 metra mbi nivelin e detit dhe vazhdon të bjerë me intensitet të lartë. Trashësia më e madhe e dëborës është regjistruar në fshatrat e Njësisë Administrative Steblevë, si dhe në fshatrat Qarrishtë, Rrajcë dhe disa fshatra të tjerë malorë.