Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi terrorist në Zubin Potok, autoritetet e Kosovës akuzojnë Serbinë, Vuçiç: Mos merrni vendime nën presion


Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Varagë, afër Zubin Potok, duke dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc. Dyshohet se ky kanal furnizon Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me ujë, dhe dëmtimi mund të shkaktojë probleme në furnizimin me energji elektrike.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar shpërthimin dhe ka njoftuar se ekipet policore janë në terren për të hetuar ngjarjen: “Po, është dëgjuar një shpërthim dhe ekipet janë duke punuar për të zbardhur rrethanat e incidentit.”

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për një “sulm kriminal dhe terrorist”, duke i lidhur strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiç me shpërthimin e ndodhur në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, duke përmendur gjithashtu përfshirjen e tij në sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në Banjskë, Zveçan.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin ndaj kanalit, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”, duke theksuar se ky akt “rrezikon drejtpërdrejt” nevojat themelore jetësore të serbëve në Kosovë.

Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetje nga Beogradi, ka dënuar dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varagë.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme në një konferencë të jashtëzakonshme pak pas shpërthimit, kryeministri akuzoi Serbinë se fshihej pas këtij sulmi, i treti brenda 72 orëve në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ky sulm ka pasur për qëllim “dëmtimin e infrastrukturës më të rëndësishme” të vendit.

Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminal e terrorist do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit”, tha Kurti sipas mediave vendase.

Ndërsa së fundmi reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku ka pretenduar se Beogradi “nuk ka të bëjë fare” me sulmin që ndodhi mbrëmë në Ibër-Lepenc, në Zubin Potok dhe këtë, sipas tij, e di edhe Prishtina.

Këtë deklaratë ai e bëri në një bisedë me disa të rinj të partisë së tij, të cilëve duke iu shpjeguar se si në politikë “nuk duhet të nxitohesh”, Vuçiç tha se për këtë s’ka reaguar në mëngjes.

“Asnjëherë mos merrni vendime nën presion. Si mendoni, pse nuk nxitova sot në orën gjashtë të mëngjesit të them se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Ibër-Lepenc. E dini, ne mund ta bënim këtë dhe ta kthenim lumin përpjetë për ta, nuk na duhej asnjë terrorizëm”, ka thënë Vuçiç siç raporton mediumi publik serb.

Vuçiç tha se ai nuk mund të kërkojë falje “për diçka që nuk e kam bërë”, derisa shtoi se në fund “gjërat bien në vend”.

Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, gjithçka do të bjerë në vend. Është e rëndësishme vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në vetvete”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje në lidhje me sulmin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Zubin Potok ku u shpreh se është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë.

Para gazetarëve mbrëmjen e djeshme ai tha se flitet se janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv. Sipas tij, qëllimi i Serbisë tashmë është i qartë – pamundësimi i shërbimeve elementare për qytetarët dhe shkaktimi i frikës në masë.

“Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit u dëmtua seriozisht, nuk dihet ende saktësisht për eksplozivin, por sipas eksperteve të policisë, flitet diku për rreth 15 kg eksploziv”, tha ai.

Sveçla tha se qëllimi i këtij sulmi është destabilizimi i vendit.

Ndaj, aktit të në kanalin Ibër – Lepenc kanë reaguar edhe SHBA, BE dhe EULEX-i, duke kërkuar që kryerësit e këtij akti të kapen dhe të nxirren para drejtësisë.

Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës.

Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.

Reagime të shumta ka patur edhe nga politika shqiptare të cilet kanë dënuar sulmin.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenc.

Sulmet “synojnë shkatërrimin e infrastrukturës  kritike të Kosovës e cënon sigurinë kombëtare të Kosovës”.

Gjithashtu edhe kryeministri i vendit, Edi Rama “akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë”.

Kjo pasi sipas tij, “cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë”.

Një reagim ka pasur dhe nga kryeparlamentarja, Elisa Spiropali.

Ajo thekson se “jemi pranë institucioneve të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet për kthimin e normalitetit, garantimin e qetësisë e sigurisë për qytetarët e Kos ovës dhe gjithë rajonin”.

Ndërsa, sipas kreut të grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, “akti terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një tjetër provë se Kosova është vazhdimisht në agresion dhe agresorët nuk kanë marrë kurrë ndëshkimin që meritojnë nga komuniteti ndërkombëtar”.

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, dënoi me forcë sulmin terrorist në Zubin Potok, duke e cilësuar si pjesë të një plani destabilizues në rajon.

Ai bëri thirrje për hetime të shpejta nga institucionet e Kosovës dhe për më shumë angazhim nga misioni i NATO-s për të garantuar paqen dhe sigurinë.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti një akt terrorist që ka për qëllim destabilizimin e vendit.

Ai e konsideroi këtë akt si një provokim të drejtpërdrejtë të Beogradit, që kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re dhe destabilizimin e Kosovës.